Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për dy operacionet e fundit nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Haradinaj tha në Kuvend se pas këtyre dy aksioneve, ka ndodhur përkeqësim i gjendjes dhe dobësim i shtetit ligjor.
“Besoj që të gjithë ata që janë të fushës mund ta jepin këtë vlerësim. Pas dy herë që ka operuar policia e Kosovës në veri të vendit, kemi dalë më të dobët. Herën e parë na është mbajtur policia peng në pikat doganore, edhe një i sëmurë polic nuk ka mundur të bartet dhe të shkojë në spital. Herën e dytë policia jonë ka arritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupe kriminale, operacioni blic me ndodh në shpejtësi me u kthy dhe me e lënë terrenin në dorën e kriminelëve”.
“Po bëhet qëllimshëm me e dorëzua veriun, është projekt diku. Nuk e di pse ndodh kështu, ata që merren me këtë e dinë që Kosova është me dobët në veri pas këtyre dy operacioneve. Kërkoj sqarim të detajuar pse duhet të dobësohet shteti ligjor në veri, pas këtyre proceseve që i kemi kaluar. Pasi që iu paguhet rryma në veri, pse duhet policia të mbahet peng prej grupeve kriminale, pse duhet të merremi vesh me ata për t’u tërhequr. Pse kur shkojmë të operojmë përballemi me ta”, tha Haradinaj.