Kryetari në largim i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri është lajmëruar pas humbjes në zgjedhjet e djeshme në këtë komunë, duke e pranuar humbjen.
Bahtiri tha se mbrëmë e ka telefonuar kundërkandidatin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamzën, për t’ia uruar fitoren.
“Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten”, shkroi Bahtiri.
Zgjedhjet, Bahtiri pranoi se qenë të lira dhe demokratike, pa asnjë problem.
Bedri Hamza nga PDK-ja ka fituar 53,86% të votave në këtë komunë, duke e shmangur balotazhin. Bahtiri, ndërkaq, humbi duke marrë 34,40% të votave.
I treti doli kandidati i LDK-së, Armend Agolli, i cili mori 11,74% të votave.
Agolli po ashtu e ka uruar Hamzën për fitoren.
“I uroj Bedriut për rezultatin e arritur, uroj që ai ta respektoj vullnetin e qytetarëve me përulësi”, shkroi Agolli.