Të 18 të arrestuarit dhe shpallurit në kërkim nga aksioni i së mërkurës në Kosovë për krim të organizuar dhe kontrabandë janë recidivist të veprave të njëjta dhe ngjashme penale.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tregon se të gjithë i përkisnin të njëjtit grup, të cilët brenda skemës kishin përgjegjësi të ndryshme, nga futja e mallit në Kosovë e deri tek dorëzimi në një vend të BE-së.
Po ky vend, i cili për shkaqe të hetime nuk bëhet i ditur, përbën fillesën e zbardhjes së skemës së dyshimtë kriminale.
I pari i doganës tregon se njëri nga personat në kërkim, që u ka siguruar tregun produkteve të kontrabanduara ka me dhjetëra procese gjyqësore, disa ende të hapura.
“Në rastin konkret ne kemi pasur të bëjmë me njerëz që ne i njohim për kohë të gjatë, të gjithë ata janë recidivistë dhe janë të njohur për Policinë dhe Doganën e Kosovës për vepra të ngjashme që kanë kryer në të kaluarën”, theksoi Llugaliu.
Llugaliu tregon se vlera e mallit të konfiskuar është afër 250 mijë euro. Produktet e konfiskuara fillojnë nga cigaret që kanë akcizë të lartë.
“Ka me dhjetëra vepra penale që ka kryer në të kaluarën e mbi të rëndojnë edhe vepra që kanë të bëjnë me sulm ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit, prandaj ne besojmë që aty mund të atribuohet më shumë përgjegjësi”, tha i pari i Doganës së Kosovës.
Ai tregon së dogana ka njohuri edhe për persona të tjerë të përfshirë në kontrabandë për çka po vazhdojnë hetimet deri zbulimin e skemës.
“Kemi zënë cigare në Prishtinë, që e dimë që destinimi i tyre ka qenë të përfundojnë në kanalet e këtij grupi të organizuar edhe mandej i furnizojnë kanalet deri në vendet e BE-së. Ata shikojnë ku ka më shumë mundësi fitimi tek dallimi i çmimeve që ekzistojnë në treg”, njoftoi Llugaliu.
Për të ndjekur intervistën me Drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, klikoni KËTU .