Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ, do të jetë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, që do mbahen nesër.
Driton Selmanaj, tha se koalicioni të dielën në Drenas do ta ketë Qendrën e saj të komunikimit me publikun, ku përmes konferencave të rregullta që do të mbahen në orën 09:30 dhe 17:30, dhe ku do të prezantojë të dhënat nga tereni mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Koalicioni – gjithashtu do të monitorojë nga afër edhe punën e organeve të drejtësisë që kanë mandat të sigurojnë një ambient të sigurt për realizimin e të drejtës qytetare për votim. Objektiv i monitorimit do të jetë edhe periudha post zgjedhore si: procesi i numërimit të votave në qendrën e numërimit dhe punën e PZAP-së si organ që trajton ankesat eventuale nga subjektet e përfshira në proces”, tha ai.
Betim Musliu, përfaqësues tjetër i këtij koalicioni u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që të tregojnë maturi dhe të mos nxisin tensione eventuale, të cilat më pas do të ndikojnë në dëmtimin e procesit elektoral.
“Koalicioni – shfrytëzon rastin që ti bën thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Drenasit që të dalin në votime, për të ushtruar të drejtën e tyre qytetare dhe Kushtetuese. Koalicioni gjithashtu ju bën thirrje të gjitha subjekteve të përfshira në proces që të vazhdohet me praktikat e mira të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të dëshmuara në zgjedhjet e fundit”, tha ai..
Rrjeti i OJQ-ve “Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ”, ka për qëllim që të promovojë dhe garantojë vlera demokratike që do nxisin zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Ky rrjet përbëhet nga këto organizata jo qeveritare: Çohu, Democracy Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), IniciativaQytetare në Skenderaj (IQS), Iniciativa për Progres (INPO) dhe CommunityBuilding Mitrovica (CBM).