Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mbështetur aksionin e djeshëm të policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar duke e quajtur si veprim në interes të të gjithë qytetarëve.
Në një reagim në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook, thuhet se përpjekjet për të penguar aksionin me retorikë nxitëse u shërben atyre që krijojnë ndasi mes komuniteteve në Kosovë.
“Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë, si dhe përdorimin e retorikës nxitëse, shërben vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje në mes të komuniteteve në Kosovë. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren. Gazetarët kanë të drejtë të veprojnë në një mjedis të sigurt dhe ata që e kërcënojnë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagim.