Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit, pasi Policia e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës, shkruan Gazeta Express.
Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.
Më tutje, Borrell tha se të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.
The violent incidents in the north of Kosovo need to stop immediately.
Unilateral and uncoordinated actions that endanger stability are unacceptable.All open issues must be addressed through the EU-facilitated Dialogue. We are in contact with Belgrade and Pristina.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) October 13, 2021
Operacioni policor kundër kontrabandës i realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, ka kaluar me tensione. Policia ka njoftuar për bllokim të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare.
Prandaj, si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani policia ka konfirmuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe 1 i nacionalitetit serb.
“Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, njofton tutje policia.
Ndërsa, aksioni i sotëm ka vënë në pranga 8 persona.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për qetësi në Komunën veriore të Mitrovicës, derisa ka njoftuar se aksioni i Policisë së Kosovës ka përfunduar.
“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka shrkuar ai në një postim në “Facebook”. /Express/