Analisti Shkelzen Gashi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje do duhej të vepronte sikurse në Skenderaj, të tërhiqte kandidaturën, pasi ta analizonte planprogramin qeverisës të kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK’së, Përparim Rama.
Gashi, në emisionin ‘Rubikon’, ka thënë se programi politik i kandidatit të VV’së për Prishtinën, Arben Vitia, e bëri të mendojë se ky subjekt politik do duhej ta tërhiqte kandidaturën në kryeqytet, shkruan Gazeta Express.
“Unë mbramë e lexova edhe programin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosja. Ai absolutisht nuk është program. Tu e lexu programin e kandidatit z. Vitia, thosha: Sa mirë do kishte me qenë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me e ndjek të njëjtin shembull sikurse në Skenderaj, ku doli përfaqësuesi i familjes Jashari në Skenderaj si kandidat, VV tha se nuk nxjerrim kandidat në Skenderaj, e mbështetim z. Jashari. Sa mirë kishte me qenë sikurse kryeministri i Kosovës kishte me thënë që Lëvizja Vetëvendosje, masi që e ka pa kandidaturën e z. Rama, masi që e ka lexu e studiu e analizu programin e tij, nuk nxjerrë kandidat për Prishtinën”, ka thënë ai.
“Prej seneve kryesore që e kanë mundësu fitoren e kryetarit aktual ka qenë Xhamia e Gurit e cila ka mbetë në gjendje të mjerë. Njësoj ndodh për Hamamin e Prishtinës. Një sen tjetër me të cilin kanë ardhë në pushtet është Pazari i Prishtinës, por edhe Tregu që është në Ulpiana. Të dy këto tregje janë qe tetë vjet në gjendje të njëjtë”, ka vlerësuar analisti Gashi.
Gashi është shprehur i fascinuar me planprogramin qeverisës të Ramës.
“Kur e kam lexuar programin, që është programi i parë më duket i publikuar prej krejt kandidatëve të partive politike për kryetarë të kryeqytetit, unë duhet me thënë se jam fascinuar për të mirë”, ka thënë ai.