2.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Bexhet Pacolli: Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli thotë se Kosova Ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij nuk ka përfunduar ende.

Në një intervistë për “Kosovo Online”, Pacolli tha se Kosova duhet ta gjejë një mënyrë për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa theksoi se kriza e fundit në veri të Kosovë është “pasqyrim i një situate që po vazhdon prej vitesh”. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, zgjedhjet lokale, vizitën që ua bëri krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe u përgjigj në pyetjen se cili ndërmjet Hashim Thaçit e Albin Kurtit ishte udhëheqës më i mirë.

KO: Si e komentoni krizën e fundit në veri të Kosovës dhe tërheqjen e policisë, opozita thotë se është humbje e Kurtit përballë Vuçiqit, cili është pozicioni juaj?

Një reflektim i mungesës së vizionit për zgjidhjen e sfidave, problemeve që kemi në rrugën tonë drejt shtetndërtimit dhe me Serbinë fqinje, dhe integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare. Është gjithashtu një pasqyrim i dallimeve të shpeshta që kemi me aleatët dhe rezultat i ndryshimit të situatës në rajon dhe Evropë, ku gjeopolitika (për shkak të shumë faktorëve) e forcon Serbinë e Vuçiqit dhe e bën atë edhe më agresive seç ishte. Kosova ka të drejtën sovrane për të aplikuar masa reciproke në çdo fushë (siç janë targat), kur një shtet tjetër nuk respekton standardet e njëjta me qytetarët tanë dhe shtetin tonë. Masa të tilla, si ato të fundit, duhet të ishin komunikuar dhe koordinuar paraprakisht me partnerët tanë, siç janë SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Në fund të fundit, Kurti më në fund ka dhënë shenjat e para për t’u bërë një politikan i bindur që pranon detyrimet shtetërore, si marrëveshja e Brukselit.

Kurti, kur bëhet fjalë për tavolina, pavarësisht se premtoi të negociojë marrëveshje më të mira, nuk ka arritur të bëjë asgjë më mirë se sa ishte. Përkundrazi, besoj se ishte strategjikisht e gabuar që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës të bëhej pjesë e marrëveshjes. Tani, vështirë se do t’i shohim pasojat, por kam frikë se do të ndodhë herët a vonë. Kam frikë se do të ndodhë që sa herë që diçka duhet të bëhet në veri, ne do të kthehemi në Bruksel. Nuk mund të them që kjo marrëveshje e fundit ishte e mirë sepse është një marrëveshje për de-eksalim, dhe ajo që e bën atë edhe më problematike është fakti që veriu po kthehet në një zonë të veçantë konflikti. Kjo duhet të shmanget nga politika e Kosovës me çdo kusht dhe kërkon konsensus dhe koordinim të qeverisë me opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë.

KO: Beogradi pret që Prishtina t’i zbatojë pikat nga Marrëveshja e Brukselit në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A mendoni se është e mundur që institucionet e Kosovës ta shmangin këtë detyrim?

Kosova e ratifikoi marrëveshjen e prillit 2013 në Kuvend. Deri më sot, pavarësisht deklaratave publike, nuk kam parë ndonjë lëvizje të Qeverisë së Kosovës për të mos e zbatuar ose sfiduar këtë marrëveshje në mënyrë ligjore. Së dyti, unë dyshoj se kjo mund të bëhet. Kosova duhet të gjejë një mënyrë për t’i zbatuar detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër, ne nuk duhet të veprojmë si një shtet dembel që nuk ka vazhdimësi, shtete të tilla quhen “shtete endacake”. Ky nuk duhet të jetë epitet për Kosovën për shkak të sjelljes së saj populiste. Kosova duhet të gjejë formë brenda kornizës së marrëveshjes së vitit 2013 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare. Kjo e bën Kosovën një aleat të besueshëm. Nëse shikoni pakon e Ahtisaarit, e cila nuk e ka marrë parasysh Gjykatën Kushtetuese ose ligjin për bashkëpunimin ndër-komunal, ka hapësirë të mjaftueshme ligjore në kornizën aktuale kushtetuese të Kosovës për të ofruar zgjidhje për ta bërë Kosovën fituese. Por, si zakonisht gjatë gjithë këtyre viteve, elitës politike në Kosovë i mungon guximi dhe vizioni, dhe ata mendojnë më shumë se si do të reagojnë rrjetet sociale sesa për të gjetur zgjidhje.

Kosova duhet të ulet me Washingtonin dhe Brukselin dhe ta gjejë një modalitet që i përshtatet Kosovës, i cili nuk vë në dyshim sovranitetin apo rendin kushtetues të Kosovës dhe që nuk do të bëjë asnjë dëm për bashkëqytetarët tanë serbë. Është një mundësi për ta kërkuar zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në NATO, dhe kjo do të ishte garancia më e madhe e mundshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit tonë kushtetues, dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se kush janë ata. Por për këtë, negociatori duhet të jetë i shkathët, me vizion dhe guxim.

KO: Vlerësimi juaj për zhvillimet e mëtejshme rreth dialogut në Bruksel? A i ka zhgënjyer BE-ja shqiptarët e Kosovës?

Sigurisht, Bashkimi Evropian i ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës. Nuk ka asnjë arsye për ta vonuar liberalizimin e vizave. Sot, Evropa është peng i politikës së saj të brendshme, llogaritjeve populiste, por edhe çështjeve që lidhen me dialogun. Nga ana tjetër, liberalizimi i vizave duhet të shërbejë si mësim për Kosovën. Nuk ka vrull të përjetshëm, kur nuk kapim trenin nuk e dini kur do të vijë tjetri. Pesë vjet më parë, presidenti aktual amerikan Biden dhe ish-Sekretari i Shtetit John Kerry erdhën në Kosovë për t’i kërkuar elitës politike ta miratojë demarkacionin. Kishte një premtim nga udhëheqësit më të lartë amerikanë dhe evropianë se, nëse plotësohet kushti i fundit, vizat do të hiqen. Të gjithë erdhën dhe shkuan dorë për dore, dhe sot, si Kosovë, ne paguajmë çmimin për skenën dembele politike.

KO: Çfarë mendoni për rolin e SHBA-së në ngjarjet e mëtejshme në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Siç mund të shihet, Shtetet e Bashkuara kanë koordinim të plotë me Bashkimin Evropian. Pra, ekziston vetëm një proces i dialogut dhe ai po mbahet në Bruksel, ku roli amerikan do të jetë një nxitje. Emërimet e fundit tregojnë për një interes të fortë të SHBA-së në zgjidhjen e çështjeve në Ballkan. Për këtë, është mirë të marrësh mësim nga debakli i demarkacionit dhe të mos e përsërisësh sulmin ndaj Washingtonit. Ne duhet të veprojmë si aleatë, duhet të besojmë dhe të punojmë me aleatët tanë. Nuk ka garanci më të forta për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës sesa Shtetet e Bashkuara. Kjo më në fund u pa me krizën e targave. Unë besoj se do të ketë një rol më të madh, do të ketë presion mbi Prishtinën dhe Beogradin për të përparuar në dialog, por pyetja është nëse ne jemi gati për këtë apo do t’i përsërisim gabimet nga e kaluara.

KO: Pritjet tuaja nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Kosovën?

Në këto zgjedhje, mund të shihet se fokusi më i madh është në problemet reale që prekin qytetarët e Kosovës, dhe jo në tema politike si ato për të cilat kemi folur deri më tani. E cila është e mirë, sepse e bën garën më realiste dhe të prekshme. Aleanca Kosova e Re pret të forcohet nëdisa komuna, veçanërisht në ato tradicionale ku e kemi elektoratin tonë besnik, si Prishtina, Kamenica, Mitrovica… Dhe ne besojmë se do ta rrisim fuqinë tonë politike në komuna, kemi kandidatë të mirë të të gjitha moshave, sektorëve socialë, të cilët kanë një vizion dhe program të qartë për t’ua ofruar qytetarëve.

KO: A do të fillojë të bjerë mbështetja e votuesve për Vetëvendosjen dhe nga çfarë varet kjo?

Kjo nuk është një pyetje për mua. Aleanca Kosova e Re dhe unë jemi në garë dhe ne duam t’i fitojmë të gjitha partitë, dhe qëllimi ynë është ta forcojmë Aleancën dhe të ngremë zërin e qytetarëve në komuna me një program vizionar dhe shumë praktik.

KO: Ju ishit në Hagë në një vizitë të Hashim Thaçit në burg. Per cfare folet?

Javën e kaluar, vizitova ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë për gati një vit. Koha e shkurtër që kaluam së bashku ishte për kënaqësinë tonë të ndërsjellë. Takova edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi. Kjo është hera e parë në dekada që ne njihemi që nuk jam takuar me presidentin Thaçi për kaq kohë të gjatë. Si mik i tij, dhe si kosovar, jam i bindur se do të dalë me kokën lart. Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi sepse njeriu që ishte person kyç në të gjitha proceset shtetërore është ndërtimi i një shteti të ri të Kosovës, një ndërtim që ende nuk ka përfunduar. Nuk akuzohen individët në Hagë, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të gjithë e dimë se misioni i saj ishte ta bënte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

KO: Kush mendoni se është politikan më i mirë, Thaçi apo Kurti, dhe kush bëri më shumë për pavarësinë e Kosovës?

Politikanët nuk duhet të gjykohen kurrë se sa aktivë janë në politikë. Presidenti Thaçi ka qenë një figurë thelbësore në historinë e Kosovës në dekadat e fundit, nga lufta çlirimtare deri në shpalljen e pavarësisë. Zoti Kurti ishte aktiv në lëvizjen studentore dhe në krijimin e Lëvizjes Vetëvendosje pas luftës, duke mos harruar kohën kur ishte edhe i burgosur politik. Ai është në pushtet tani, i duhet kohë për ta provuar veten. Por të dy e kanë vendin e tyre në histori, ashtu si edhe politikanët e tjerë, dhe ne duhet ta shikojmë njëri-tjetrin nga një perspektivë më pozitive.

KO: Ju keni deklaruar në disa raste se ka aktakuza të motivuara politikisht kundër pjesëtarëve të UÇK -së.

Unë i qëndroj besnik deklaratës sime. UÇK-ja nuk ka kryer krime kundër civilëve, gjykimet e kaluara e kanë vërtetuar atë, dhe gjyqi aktual do të tregojë më tej se sa armiqtë e Kosovës kanë abuzuar me këtë çështje. Duhet të jetë një pyetje për të gjithë ne dhe shumë të tjerë, çfarë ndodhi me tregtinë e organeve dhe raportin e Dick Martyt? Pse askush nuk e bën këtë pyetje sot dhe e lë këtë re të zezë të qëndrojë mbi Kosovën, pavarësisht nëse ka ndodhur apo jo? Nuk ka përgjigje ndaj raportit të Dick Martyt. E gjithë kjo duhet të na shqetësojë.

KO: Si e komentoni punën e Donika Gërvallës, pasardhëses tuaj si ministre e Punëve të Jashtme?

Unë e shoh politikën e jashtme si konsensus të politikës së brendshme përballë sfidave që kemi. Nuk dua të flas për ministren e Punëve të Jashtme si person, por dua që diplomacia e Kosovës të jetë më aktive… Diplomacia duhet të fokusohet në mënyrë më aktive në çështjet thelbësore të shtetësisë së Kosovës, në mbrojtje të interesave tona jashtë vendit dhe të jetë në gjendje të reagojë në kohë ndaj korrupsionit të diplomacisë serbe.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img