Sot me fillim nga ora 18:00 Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Suedisë, takim ky që do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit.
Përballja e sotme i takon xhiros së pestë të Grupit B, dhe është e vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, përcjell KosovaPress.
Në xhiron e fundit të dy kombëtaret pësuan humbje, ku Kosova u mposht me rezultat 2:0 nga Spanja, kurse Suedia u befasua nga Kombëtarja e Greqisë, duke pësuar humbje me rezultat të ngushtë 2:1.
Kosova dhe Suedia janë përballur vetëm dy herë mes vete, ku në të dy ndeshjet suedezët kanë regjistruar fitore.
Sa i përket formacionit të sotëm, trajneri i Kosovës Challandes pritet që në qendër të mbrojtjes të fillojë ndeshjen me Rrahmanin dhe Alitin, ndërsa sulmin priten ta udhëheqin Kastrati, Muriqi dhe Rashica.
Në anën tjetër, me mungesën e Ibrahimovicit, sulmin e Suedisë pritet ta udhëheqë dyshja Alexander Isak dhe Dejan Kulusevski.
Formacionet e mundshme të dy kombëtareve i gjeni më poshtë.
Suedia (4-4-2): Olsen; Krafth, Lindelof, Danielson, Augustinsson; Claesson, Olsson, Svanberg, Forsberg; Isak, Kulusevski
Kosova (4-3-3): Muric; Hadergjonaj, Rrahmani, Aliti, Vojvoda; Halimi, Dresevic, Loshaj; Kastrati, Muriqi, Rashica
18:00 Suedia – Kosova (Stadiumi Friends Arena)