Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, është duke e shmangur debatin me kundërkandidatët e tij.
Pavarësisht se këta të fundit kanë bërë thirrje për një debat televiziv, Vitia nuk iu është përgjigjur pozitivisht, shkruan Gazeta Insajderi.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka qenë i fundit që e ka ripërsëritur ftesën ndaj kundërkandidatëve për debat publik.
Ai ka thënë se “Prishtina e qytetarët e saj kanë nevojë t’i shohin e dëgjojnë idetë, planet e projektet e secilit prej nesh dhe përballë njëri-tjetrit”.
Sipas Haradinajt, një përballje e tillë do t’i jepte mundësi çdo qytetari që me gjakftohtësi ta jepte verdiktin e tij, shkruan Gazeta Insajderi.
I gatshëm për debat është shprehur edhe Uran Ismaili, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nga shtabi i tij kanë thënë se Ismaili kërkon debat.
“Urani kërkon debat. Është i gatshëm kurdo, kudo dhe me këdo me u ballafaqu. Prishtina nuk duhet me kalu pa debat. Qytetarët e Prishtinës duhet me pasë mundësinë me pa se për kënd po votojnë. Përgatitjet e tyre, përparësitë dhe mangësitë në raport me kandidatët tjerë. Urani është gati”, kanë thënë nga shtabi i tij zgjedhor për Insajderin.
Për debat televiziv duket se është edhe Përparim Rama, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“S’ka ardh asnjë ftesë për debat. Publikisht i kemi ftu kundërkandidatët, nuk është përgjigjur asnjë”, kanë thënë për Insajderin nga shtabi i Ramës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.