Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pasi do të jetë kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës.
Vitia pati ca fjalë edhe për pandeminë Covid19 ku u shpreh se “sot mund të them se vala e katërt e Delta-s e pandemisë për momentin është vënë nën kontroll”.
Ai tha se Kosova është ndër pesë shtetet me rastet më të vogla të reja në Europë.
“Mua mu dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin me gjithë fuqinë që disponoj t’i ndimoj popullit të cilit i përkas në një kohë të vështirë, të dhimshme dhe me sakrifica. Ju jam mirënjohës për jetë për besimin e dhënë.”, tha Vitia.
“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë. Jam thellë i prekur nga solidariteti dhe përprjekja e pashterrshme për të ndjekur udhëzimet parandaluese nga ana e qytetarëve të Kosovës.
Unë po ja transferoj përgjegjësinë zv/ministres Dafina Gexha”, shtoi ai.
“Unë do të jem kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës”.
Ndryshe, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit për kryetar të komunës së Prishtinës kandidojnë: Uran Ismajli nga PDK, Përparim Rama nga LDK, Arben Vitia nga LVV, Daut Haradinaj nga AAK dhe Gëzim Mehmeti nga AKR.