Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka përmendur të arriturat e ministrisë që ai drejton në 6-mujorin e marrjes së detyrës.
Përmes një statusi në Facebook, Mehaj ka thënë se në këtë 6-mujorësh Ministria e Mbrojtjes ka mirëmbajtur dhe operuar me sukses edhe me aftësitë dhe kapacitetet aktuale të FSK-së.
Mehaj thotë se detyra, nderi dhe Atdheu janë maksima që e udhëheqin atë, stafin e Ministrisë, Ushtarakun e FSK-së dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Qytetarë të dashur,
Ndjehem i nderuar, që në gjashtëmujorin e marrjes së detyrës së Ministrit të Mbrojtjes, t’u njoftoj se të arriturat e deritashme dhe projektet në proces e sipër janë në përputhje të plotë me vizionin tim për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
Ministria e Mbrojtjes përgjatë kësaj periudhe përveç realizimit të suksesshëm të mirëmbajtjes së sistemit administrativ dhe funksional të Ministrisë së Mbrojtjes, ka mirëmbajtur dhe operuar me sukses edhe me aftësitë dhe kapacitetet aktuale të FSK-së.
Qëllimet e mia strategjike dhe objektivat operacionalë janë në rrugë të sigurt të realizimit të suksesshëm.
Për të gjitha këto të arritura dhe zhvillime, për këta gjashtë muaj, ju kam njoftuar në vazhdimësi dhe në koherencë të plotë.
Për këtë u shprehë mirënjohjen të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve e nëpunësve të FSK-së.
Gjithashtu, falënderim dhe mirënjohje e veçantë për Zyrën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Ambasadës Amerikane, Gardës Kombëtare të Iowa-s, Ekipin Këshillëdhënës te NATO-s, , homologët e mi, këshilltaret bilateral dhe atashetë e mbrojtjes së vendeve partnere, lidershipin e KFOR-it për mbështetjen e tyre shumë të vlefshme dhe të pakursyer për të këtë periudhë pune të madhe dhe të suksesshme.
Ashtu siç kemi punuar fuqishëm përgjatë gjashtë muajve do të vazhdojmë edhe në çdo orë, ditë, javë, muaj e vite të ardhshme.
Detyra, Nderi dhe Atdheu janë maksima që më udhëheq mua, stafin e Ministrisë, Ushtarakun e FSK-së dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ndihuni të sigurt sepse bashkë me aleatët tanë jemi për ju gjithmonë.
Në çdo kohë dhe rrethanë,
Sepse,
E ardhmja ka vetëm një alternativë- Republikën e Kosovës, shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime të përkatësisë etnike, fetare e racore; shtet demokratik, i pavarur, sovran, me integritet të plotë territorial si dhe me orientim të plotë evropian dhe euroatlantik.
Paqja, siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i përgjithshëm i vendit tonë dhe rajonit në përgjithësi është detyrim yni dhe i njëjti duhet të jetë i të gjithëve.