Qeveria e Kosovës ka nisur të hënën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Mirëpo, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, në shenjë pakënaqësie.
RTV Dukagjini raporton se mbrëmë gjatë natës serbët kanë vendosur zhavorr në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak.
Ky medium raporton edhe se protestuesit serbë kanë shtuar numrin e mjeteve të rënda në rrugë.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme xhandarmëria serbe në afërsi të Jarinjes, është vendosur në disa pika të larta duke vrojtuar njësitet e Policisë së Kosovës.