Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm që të heq masën e reciprocitetit për targa të përkohshme, nëse ka një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë. Ai ka shprehur gatishmërinë për takime në Bruksel, por që Serbia ka refuzuar një gjë të tillë.
Ai ka ftuar edhe një herë kryetarët e komunave në veri që të largojnë nga pikat kufitare pengesat.
“Jam i njoftuar që pengesat në rrugë që shpien në pikat kufitare 1 dhe 31, janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale. Dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. I ftoj kryetarët e komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu grupin e organizuar të qytetarëve serbë që të të largohen nga dy rrugët regjionale përkatësisht nga bllokimi i tyre. Sepse asisoj ata kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre”, ka deklaruar ai.
Ai në konferencë për medie ka thënë se vendimi për targat e përkohshme nuk u drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës, ku shtoi se të njëjtit e kanë të drejtën për tu pajisur me targa të përhershme.
Më tej, ai ka njoftuar se edhe dje u ka bërë me dije ambasadorëve të QUINT-it që vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm.
“E kam bërë të ditur edhe në takimin që kam pasur dje me ambasadorët e QUINT-it edhe me shefen e misionit të BE-së se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heq nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë. Nuk është që ne i gëzohemi tabelave të përkohshme. Ne do të dëshironim që as Serbia, as Kosova të ketë tabela të përkohshme. Por, tu mundësohet qarkullimi i lirë dhe pa vonesa i të gjithë qytetarëve”, ka shtuar ai.
Derisa ka folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti ka shtuar se është i hapur për takime, por refuzimi ka ndodhur nga pala serbe.
“Ne jemi të gatshëm për takime, bisedime për këtë çështje. E kanë kërkuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrel edhe përfaqësuesi i tij për Ballkanin Perëndimor për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, e kanë kërkuar nga ne gatishmërinë për tu takuar në Bruksel për të zhvilluar bisedime në mënyrë që të de-eskalohet gjendja. Unë si kryeministër i Kosovës edhe zëvendësi i im i parë, Bislimi kanë shprehur gatishmërinë për këtë gjë. Komplet qeveria jonë është e hapur për takime në Bruksel. Mirëpo, pasi që kanë marrë dakordimin tonë, kanë marrë refuzimin në Beograd për bisedime”, ka thënë Kurti, duke shtuar se ky refuzim nuk i ndihmon as Kosovës e as Serbisë.
Ai ka siguruar se specialja në veri është për sigurinë e qytetarëve dhe policisë kufitare, por që një gjë e tillë është e imponuar derisa ka bllokim të rrugëve.
“Njësia Speciale e Policisë në pikat 1 dhe 31, është vetëm e vetëm për të mbrojtur policët tanë kufitar të zakonshëm. Dhe për të mbrojtur e ruajtur vendkalimet kufitare. Nuk kanë fare të bëjnë me qytetarët e vendit, por kanë të bëjnë me qarkullimin dhe me zyrtarët e tjerë”, shton kryeministri.
Në mbledhjen e sotme, ndau 2 milionë euro për bursa për studentë dhe për trajnimet fillestare për maturantët për fushat e teknologjisë informative. Ndërkohë, ndanë edhe 730 mijë euro për vazhdimin e pagesave për specializantët me vetëfinancim për muajt nëntor dhe dhjetor.