7.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Policia demanton mediat serbe: Në aksionin në veri janë vetëm zyrtarët policorë

Policia e Kosovës (PK) përmes një komunikate për media ka sqaruar se në aksionin në veri janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të PK-së.

Ky reagim i Policisë vjen pasi disa media serbe raportuan se në veri kanë shkuar edhe Forcat Speciale të Kosovës, transmeton Telegrafi.

Në reagim thuhet se, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.

“Me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, në operacione të caktuara bëhen planifikimet e nevojshme operacionale, përfshirë planifikimet e burimeve njerëzore dhe ato logjistike, varësisht prej natyrës dhe nevojës operacionale. Vlen të potencohet se në operacionin policor i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, përderisa pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurisë janë të pavërteta.

Andaj, Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, përmes këtij informacioni zyrtar reagon dhe njëherë demanton shkrimet e disa mediave/portaleve serbe”, vijon sqarimi i Policisë.

Ndryshe,  një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, kanë vazhduar reagimet lidhur me këtë hap të ndërmarr nga autoritetet në Kosovë.

Serbët lokalë, duke kundërshtuar një masë të tillë, sot i kanë vazhduar t’i mbajnë të bllokuara rrugët që shpien në pikat e kalimit kufitar në veri të Kosovës Jarinë dhe Bërnjak në veri të Kosovës, ndërsa atje janë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare me Serbinë, lëvizja është zhvilluar normalisht, duke respektuar masat e reciprocitetit, pra vendosjen e tabelave provuese, për automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img