Një prej intelektualëve të dalluar të Mitrovicës, Miftar Kurti, i cili me profesion është edhe historian edhe gjuhëtar, sot i ka dhënë një leksion historie Agim Bahtirit.
Kurti i cili gjithashtu ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka pyetur Bahtirin pse tani kur ka filluar fushata parazgjedhore për pushtetin lokal, thua se je i gatshëm me vdekë, por për çka? Për kolltuk, për pushtet?
“Pse je i gatshëm me vdekë për Mitrovicë sot, por nuk ishe i gatshëm me vdekë për liri dikur?”, ka pyetur ai, duke shtuar se është koha e duhur për t’u larguar nga pushteti me votën e qytetarëve, por jo për të vdekur, pasi që vdekjet e palavdishme nuk i duhen askujt dhe se Bahtiri duhet të mësohet të jetojë edhe pa pushtet.
Ky është statusi i plotë i historianit të Mitrovicës:
LETËR Z. AGIM BAHTIRI
Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin me Ty, o Agim Bahtiri!
Po ç’e ke gjithë atë siklet, ç’e ke gjithë atë zhgënjim?
Këtë lutje e bëra dhe këtë pyetje e shtrova kur të dëgjova (me pak vonesë) me veshë dhe të pashë me sytë e mi në emisionin “Context” në ATV.
Agim Bahtiri, vlera sublime për një njeri është jeta. Është edhe liria. Jeta pa liri nuk ka kuptim. Liria është ajo për të cilën vlen të vdiset. Liria dhe Atdheu.
Pse të duhet vdekja Ty, Agim Bahtiri, kur nuk të mungojnë as liria, as atdheu, as familja, as paratë, as pushteti, as fabrikat e as salltanetet e tjera të jetës? Nuk të mungon as lëvizja e lirë (me shpurë e pa shpurë) nëpër gjithë Evropën dhe në botë. Ti nuk vuan as nga plagët e shkaktuara nga kaqtrajtimet në demonstrata, në qeli burgjesh a në vija fronti. Nuk vuan as nga traumat e luftës, as nga depresioni. Errësh e gdhihesh si pëllumb i lirë. Shkon në punë kur të duash kthehesh në shtëpi kur të teket (me duar në xhepa e i shoqëruar nga shpura), ngarkon e shkarkon drejtorë, largon nga puna invalidë lufte, madje edhe kur ata kanë kualifikime superiore. Edhe Je i lirë të flasësh çfarë të duash. Atëherë, pse je i gatshëm të vdesësh kur asgjë nuk të mungon? Çfarë sikleti ke, Agim? Ç’është kjo fjalë?
Qe koha kur shqiptarëve u shkonte koka për një fjalë. Për fjalën LIRI. U shkonte koka edhe për dy shkronja K.R. (Kosova Republikë). Emrat e tyre, Agim, mund t’i gjeni në gazeta, revista e libra, në biblioteka dhe arkiva (me të cilat Ti nuk ke kohë të merresh); në varreza të dëshmorëve dhe martirëve; në rrugë e sheshe, në institucione arsimore dhe kulturore. Ata u vranë në protesta e demonstrata, në burgje, nëpër istikame, por edhe në vija fronti gjithandej Mitrovicës dhe Kosovës. Jo për me vdekë, por me jetue. Me jetue në liri. Edhe me pas të drejtë me votue, por edhe me zgjedh atë që mendon se është më i miri. Ti je i lirë të jetosh e të votosh. Ke pushtet, ke para dhe familje. Dhe salltanete sa ta do qejfi. Ke mundësi të shkosh të jetosh i lirë edhe në Hagë. Atje askush nuk të nget. Ti nuk luftove siç luftuan çlirimtarët tanë që janë në burgje vetëm pse guxuan të luftojnë për liri. Pse je i gatshëm me vdekë për Mitrovicë sot, por nuk ishe i gatshëm me vdekë për liri dikur?
Çudi, atëherë kur qe koha nuk kërkove të vdesësh. As nuk u keqtrajtove, as nuk u plagose, as nuk vdiqe (mirë që nuk të ndodhi kështu). Nuk e dhe jetën ashtu siç e dhanë jetën Sinan Bajrami (1981, nxënës i shkollës së mesme), Selman Vojvoda (1990), Mehë Uka (1996), Artim Jashari (maj 1998).
Ku ishe Ti kur më 1998-1999 zhvillohej lufta për liri në Shipol, Tavnik e Vaganicë, në Mazhiq e Kaçanoll, në Pasomë e Rahovë, në Majdan e Melenicë dhe në gjithë Kosovën?
Ku ishe kur e dhanë jetën për liri Heronjtë Xhevat Jusufi (mësimdhënës e drejtor shkolle) Shemsi Ahmeti (ushtarak profesionist), Arsim Muzaqi (kampion i Kosovës në karate), gjimnazisti Bajram Musa dhe shumë të tjerë?
Ku ishe kur u vranë komandanti Agim Ramadani, profesori i nderuar Latif Berisha dhe kryesindikalisti Agim Hajrizi?
Ku ishe kur nga forcat serbe vriteshin gra shtatzëna e foshnja në djep?
Ku ishe kur digjeshin, vriteshin e masakroheshin Mitrovica e Kosova?!
Atëherë që koha për të vdekur njëherë e për të siguruar pavdekësinë përgjithmonë. Tani është vonë. Tepër vonë, o Agim Bahtiri! Të ka ikur treni moti për sakrificë sublime.
Tani kur ka filluar fushata parazgjedhore për pushtetin lokal, thua se je i gatshëm me vdekë. Për çka? Për kolltuk, për pushtet? Jo. Një gatishmëri e tillë nuk të sjell lavdi. Janë shuar qytete, shtete, mbretëri e perandori; kanë dhënë jetën mbretër, kryeministra e kryetarë në përpjekje për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin, por historia nuk u ka siguruar një vend në analet e saj. Nuk u ka siguruar as lavdi, për të cilën Ti vuan shumë.
Agim, disa po thonë se Ti din të lexosh. Din edhe të shkruash. Thonë se ke kryer edhe fakultet (ani se me pak vonesë). Mirë shumë, atëherë mos përto të lexosh pak histori. Ta freskosh trurin. Ndoshta të shuhet etja e madhe që ke për pushte e lavdi.
Ti mund të largohesh nga pushteti (mendoj se është koha e duhur) me votën e qytetarëve, por jo me vdekë. Vdekjet e palavdishme nuk i duhen askujt. Duhet të mësohesh të jetosh edhe pa pushtet.
Zoti i don edhe ata që janë të papushtetshëm.
Kërkoj falje që e zgjata kaq shumë, por nuk pata kohë të shkruaj më shkurt.
P.S.
Kam dëgjuar se Ti e mban në zyre fotografinë e Heroit Isa Boletini. Ndalu një moment, shikoje në sy. Pastaj, pyete kur dhe pse duhet të vdesësh. Dhe lexoje çfarë shkruan shkrimtari Betim Muço te romani i tij “Gjurma e Vetëtimës” kushtuar HEROIT Isa Boletini.