4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Kandiq thotë se në arkivat e Serbisë s’ka diçka që çon tek zbardhja e fatit të të pagjeturve

Edhe nëse hapen arkivat në Serbi, ato nuk kanë dokumente të dobishme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve sepse informacionet dhe dokumentet kryesore janë në duart e komandantëve të luftës, thotë Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, shkruan REL.

Çështja e hapjes së arkivave në Serbi dhe në Kosovë, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999, ka nxitur polemika dhe debat në skenën politike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe udhëheqës i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, më 9 shtator ka deklaruar se në takimin në Bruksel, më 7 dhe 8 shtator, pala serbe ka deklaruar se janë të pajtimit që të hapen arkivat e saj në Serbi, por që edhe pala e Kosovës t’i hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën më 13 shtator, ka deklaruar se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet.

Ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë kanë reaguar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke i cilësuar si deklarata të dëmshme dhe të gabueshme.

Ndërkaq, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës thonë se Arkivi Qendror i Kosovës dhe shtatë arkivat ndërkomunale nuk kanë asnjë fond të dokumenteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë së informacionet lidhur me atë se palët në dialog, Kosova dhe Serbia, janë pajtuar t’i hapin arkivat me qëllim zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, nuk duhet marrë si fakt i kryer.

Siç thotë ajo, “do të hapet diçka që është plotësisht e padobishme ose pak e dobishme”, por, sipas saj, komandantë të luftës, oficerët, gjeneralët ose pjestarët e ushtrisë dhe policisë së Serbisë apo në anën tjetër pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë frikë se të dhënat mund të nxjerrin në dritë se kush saktësisht është përgjegjës për zonat e caktuara.

Sipas saj, të gjitha të dhënat që flasin se çfarë ka ndodhur saktësisht në ndonjë vend, në ndonjë komunë ku ka pasur një numër të caktuar të personave të zhdukur, ato me siguri se nuk ruhen në ndonjë hapësirë ose dhomë të caktuar, si të arkivuara në arkivat e ashtuquajtura sekrete të Serbisë.

“Lidhur me këtë, me siguri se informacionet nuk ruhen në atë mënyrë. Ato janë larguar dhe besoj që janë në duart e komandantëve të dikurshëm të luftës, sepse ata më së shumti janë frikësuar se një ditë mund të arrihet deri te zbulimi i atyre të dhënave dhe se mund të iniciohen procese për vërtetimin e përgjegjësisë së tyre penale. Në arkiva nuk gjenden ato që i kërkojnë pala e Kosovës dhe që do të ishin më se të vlefshme për zbulimin dhe konfirmimin e fakteve për varrezat masive dhe për të zhdukurit”, theksoi Kandiq.

Ajo shton se ngjashëm mund të qëndrojë situata edhe në Kosovë, ku të dhënat eventuale për ngjarjet që ndërlidhen me vrasjet, zhdukjet dhe varrezat masive ose individuale të serbëve, romëve dhe atyre që ishin besnikë ndaj regjimit, mund në jenë në duart e komandantëve të luftës në zonat e caktuara ku kontrollin e ka pasur UÇK-ja.

Kandiq vlerëson se për të arritur deri te të dhënat që çojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, autoritetet e të dyja palëve do të duhej të kenë vullnet politik për një gjë të tillë dhe qasje humane ndaj kësaj çështjeje humanitare.

“Mendoj që sikur të dyja palët të kenë nivelin e mirëkuptimit për rëndësinë që çështja e të pagjeturve të zgjidhet përfundimisht, atëherë ato do të duhej të niseshin secila palë nga gjeneralët dhe oficerët e lartë të tyre, me kërkesën që të raportojnë se çfarë ka ndodhur në zonën e caktuar, në vendin dhe lokacionin e caktuar, çfarë ka ndodhur me trupat dhe të arrihet deri tek ato informata”, thotë Kandiq.

Megjithatë, ajo nuk beson se zbardhja e fatit të personave të pagjetur do të jetë e mundur në rast se nuk formohet një komision ndërkombëtar që do të udhëhiqej nga dikush që ka përvojën profesionale për komunikimin ndërmjet palëve, lidhur me zbulimin e lokacioneve të personave të pagjetur, si dhe që ai të jetë objektiv dhe i paanshëm, si dhe të ketë mundësi qasjeje në të gjitha dokumentet që i kërkojnë.

Zymeraj: Arkivat e Kosovës nuk kanë asnjë dokument të UÇK-së

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zymeraj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë që në kuadër të Arkivit qendror të shtetit dhe në shtatë arkivat ndërkomunale ekzistojnë 1,310 fonde të krijuara nga institucionet e ndryshme.

“Logjikisht, do të duhej të ishte për shembull fondi i UÇK-së. Por, në Arkivin e Kosovës ne nuk kemi asnjë fond të tillë e lëre më seksion apo siç thuhet arkiv i UÇK-së. Nuk ka në Agjenci dhe unë flas për këtë që jam përgjegjës dhe ligjërisht që jemi institucioni legjitim për menaxhimin me dokumentacionin. Ne nuk kemi asgjë sa i përket asaj që nënkuptohet arkiv i UÇK-së”, thotë Zymeraj.

Ai shton se formulimi arkivat shtetërore të Kosovës “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës” është formulim i shpikur, sepse të tilla nuk ka.

Zymeraj thekson se në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në të dyja nivelet, qendror dhe ndërkomunal, jo vetëm që nuk ka asnjë fond që është i mbyllur, i klasifikuar ose nën embargo për të interesuarit, për palët e jashtme, por nuk ka fare asnjë dokument të tillë.

Sipas tij, të gjitha fondet që kanë arkivat në të dyja nivelet, janë të qasshme për palët, për subjektet juridike dhe ato fizike, si dhe private, siç janë hulumtuesit e ndryshëm.

Kurti: Arkivat përfshijnë dëshmitë dhe materialet e UÇK-së

Deklarata e Zymerajt vjen pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili më 13 shtator u ka thënë gazetarëve që në arkiva ka dëshmi dhe materiale të UÇK-së.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne jemi shumë të hapur dhe transparent. Mirëpo, neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve. I kemi edhe 1,630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd”, ka thënë Kurti.

Reagimi i opozitës

Ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, duke e quajtur të rrezikshëm, siç ka thënë ai, hapjen e një diskursi të tillë nga krerët qeveritarë të vendit.

“Nuk po mund të besoj ende që kryeministri ynë flet me një gjuhë të tillë, për arkiva, për luftën e UÇK-së. Pajtohem që ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Mirëpo, në anën tjetër, nuk lejojmë që të biem në diskursin e Serbisë që flet me gjuhën e saj për UÇK-në”, ka thënë Abelard Tahiri.

Me tone të ashpra ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Ai theksoi se kur bëhet fjalë për temën e të pagjeturve, Qeveria e Kosovës duhet të ketë shumë kujdes, të flasë me saktësi dhe të mos eksperimentojë.

“Të kërkohen arkiva, të hapen arkiva (të UÇK-së) që nuk ekzistojnë – të paktën ne nuk e dimë që ekzistojnë – për mua është një gabim substancial. Nuk është marre që të kërkohet falje dhe të thotë ‘më falni, është gabim’”, u shpreh Besnik Tahiri.

Në anën tjetër, deri më tash, autoritetet e Serbisë nuk kanë folur publikisht lidhur me pajtimin e pretenduar për hapjen e arkivave me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Kosova ende vazhdon të kërkojë 1,630 persona, kryesisht shqiptarë, të zhdukur gjatë luftës më 1998/99./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img