Qeveria e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar mbledhje online për votimin e masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Sipas tij, mbledhja pritet të përfundojë gjatë pasditës së sotme.
“Qeveria është duke mbajt një mbledhje elektronike ku do të votohen masat e reja kundër pandemisë. Mbledhja pritet do të përfundojë gjatë pasdites. Me të përfunduar, do të ju njoftojmë për vendimet e miratuara”, ka thënë Kryeziu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të premten ka mbajtur takim virtual me kryetarët e komunave, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër.
Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ministri Vitia i ka njoftuar kryetarët për masat e reja që pritet të miratohen më 13 shtator dhe që do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.
Sipas këtij njoftimi, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.
Takimet do të lejohen vetëm deri në 20 persona, me distancë 1.5 metra. Institucionet publike do të jenë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial.
Po ashtu, është bërë e ditur se gastronomia do të vazhdojë të punojë si me masat e deritanishme, deri në orën 21:30, duke u lejuar të shfrytëzohen vetëm hapësirat e jashtme.
Njëjtë do të veprohet edhe në pikat kufitare, ku qytetarët mbi moshën 16-vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, atë serologjik dhe atë rapid.
Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave, do të pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.
Masat tjera do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë deri më tani.
AKK ka bërë të ditur se nga data 27 shtator, do të ketë masa të reja në varësi nga analizat dhe situata që mund të jetë në atë kohë.