Gazeta e përditshme spanjolle Marca e ka nënvizuar faktin sesa të vështirë ia bëri jetën Spanjës Kosova të mërkurën në ndeshjen kualifikues për Kupën e Botës.
Kombëtarja e Spanjës kishte udhëtuar drejt Prishtinës e vetëdijshme se çfarëdo rezultati tjetër përveç fitores ndaj një Kosove të rrezikshme, do të mundë t’i kushtonte me humbjen e vendit të parë në Grupin B kualifikues, raporton Gazeta Express.
Furia e kuqe e kishte njërin sy në kryeqytetin kosovar dhe tjetrin në Athinë, ku Suedia përballej me Greqinë.
Në fund, fati i buzëqeshi Spanjës, e cila ia doli ta mposhtë 2:0 Kosovën dhe Greqia i bëri nder duke e mundur Suedinë 2:1, që nënkupton se ish-kampionia e botës e ka tani fatin në duar të veta.
Kosova ka mundur shumë lehtë t’ia prishë planet Spanjës, sikur Vedat Muriqi dhe Milot Rashica t’i shfrytëzonin mundësitë e shumta para portës së Unai Simon.
E përditshmja spanjolle Marca, në një raport për ndeshjen, shkroi për vështirësitë në të cilat hasi skuadra e Luis Enriques për t’i marrë tri pikët e shumëdëshiruara në Fadil Vokrri.
“Spanja vuan për ta fituar ndaj Kosovës” – ishte titulli i raportit të Marcas për ndeshjen në Prishtinë.
“Ishte e qartë pas rifillimit të ndeshjes (pas pushimit mes pjesëve) se duhej ta rrisnim epërsinë sa më shpejt që ishte e mundur, sepse në çdo çast Kosova mund të ta fusë frikën në palcë. Dhe kështu bëri”, shkroi Marca, duke i shpjeguar mundësitë e shënimit për Rashicën dhe Muriqin, të cilët dështuan ta mposhtnin portierin Simon ballë për ballë.
Spanja mbetet lidere e Grupit B tani me 13 pikë, katër më shumë sesa Suedia në vendin e dytë. Por kjo e fundit i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Greqia është e treta me 6 pikë, ndërsa Kosova e katërta me 4 pikë. Gjeorgjia është e fundit me një pikë.
Spanja do ta ketë një përballje të fundit me Suedinë dhe aty pritet të vendoset fituesi i grupit, i cili shkon direkt në Katar 2022. Vendi i dytë duhet të luajë në play-off për kualifikim. /Gazeta Express/