7.3 C
Pristina
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Trendafilova kërkon që arkivi të mbetet jashtë Kosovës, “pas 10 vjetësh kur të përfundojnë gjykimet”

Pothuajse përsëritje të përmbajtjes së fjalimeve gjatë konferencës së mbajtur në Prishtinë kanë bërë në atë në Mitrovicën e Veriut dy zyrtaret e Dhomave të Specializuara, kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, e administratorja Fidelma Donlon.

Sqarimet e tyre kanë qenë më shumë teknike sa i përket punës së këtij institucioni.

Për dallim nga konferenca në Prishtinë, kjo e mbajtur në veri ka kaluar pa probleme. Numri i pjesëmarrësve ka qenë më i kufizuar e gazetarët nuk janë lejuar të hynin, për shkak të mungesës se hapësirës.

Teksa ka folur për aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, Trendafilova ka thënë se gjykimi do të fillojë vitin e ardhshëm.

“Natyrisht është shumë e vështirë që të diskutojmë apo të themi se kur rasti mund të shkojë në gjykatë, për shkak të dinamikave të procedurave. Ka shumë çështje të ngritura, sigurisht do të jetë vitin tjetër. Ideja është që të fillojë në fillimvitin e ardhshëm, por si do të ndodhë kjo me zhvillimin e këtyre procedurave, mbetet të shihet muajt e ardhshëm”, tha Trendafilova.

E të gjitha proceset gjyqësore, ajo ka supozuar që mund të përfundojnë me gjykime brenda një dekade. Një gjë të tille e ka thënë kur është pyetur se çfarë do të bëhet me arkivin e këtij institucioni, me theks të veçantë me dokumentacionin ku përmenden dëshmitarët, të cilët janë anonimë për publikun.

“Gjithashtu edhe arkivat duhet të mbahen jashtë shtetit, sepse kush nga ne nëse ka për t’u paraqitur si dëshmitarë do të pajtohet që për shembull pas 5-10 vjetëve kur të kryhen të gjitha rastet, arkivi do të bëhet pronë e disa autoriteteve që kanë interes të dinë se kush janë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi”, tha Trendafilova, njofton Koha.net.

E administratorja Fidelma Donlon ka thënë se institucioni që ajo e udhëheq po e kryen mirë punën. Si shembull për këtë ka marrë deklaratën e njërit prej të arrestuarve, të bërë nga ai në një nga seancat paragjyqësore.

“Profesionalizmi i stafit është përmendur nga një i paraburgosur në seancën e parë para gjyqtarit të procedurës paraprake. Ai tregoi se arrestimi i tij në Prishtinë dhe transferimi nga Prishtina në Hagë ka qenë shumë i mirë dhe i paraburgosuri ka falënderuar ekipin e sigurisë si dhe personelin e paraburgimit”, tha Donlon.

Për dallim nga konferenca në Mitrovicën e Veriut, të martën Trendafilova e Donlon u pritën me fishkëllima në Prishtinë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit hetojnë dhe gjykojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte për trafikim organesh, por që në aktakuza një gjë e tillë nuk rëndon.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img