Disa rrugë të qytetit të Korçës janë bllokuar në përgatitje e sipër për natën e fundit të Festës së Birrës.
Në mbrëmjen e 22 gushtit, në koncertin e organizuar nga Bashkia e Korçës pritet të këndojë edhe këngëtari Goran Bregoviq, raporton Radio Evropa e Lirë.
Forca të shumta policore kanë rrethuar perimetrin e zonës ku po zhvillohet organizimi për të ruajtur rendin publik.
Pjesëmarrja e këngëtarit Bregoviq në këtë koncert është kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.
Këto kundërshtime u bënë nën pretendimin se këngët e tij zgjuan nacionalizëm serb dhe nxitën ushtarët serbë të shkaktojnë masakra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Atmosfera para nisjes së këtij koncerti në Korçë ishte e qetë.
Fluturije Cenolli, banore e Korçës nuk i kupton kundërshtimet në lidhje me pjesëmarrjen e Bregoviqit pasi thotë se “kënga është më e mirë sesa lufta”.
“Këngë do të këndojë dhe do të iki, s’ do të bëjë luftë”, tha ajo.
Në anën tjetër, vendimi i organizatorëve që hyrja në koncert të bëhet me bileta që kushtojnë 1000 lekë i është dukur e padrejtë korçarit, Denis Guri.
“Nuk kam qenë ditëve të tjera e jo sot që është me lekë”, tha ai.
Ndërkaq koncertin dhe atmosferën e 22 gushtit e mirëpriti një qytetar që kishte shkuar atje nga Burreli.
“Nuk i prish punë shtetit shqiptar apo kosovar Goran Bregoviqi”, tha Basir Salaj.
Festa e Birrës në Korçë ka nisur më 18 gusht dhe përfundon të dielën më 22 gusht.
Disa këngëtarë shqiptarë dhe sponsorë të këtij organizimi u tërhoqën nga pjesëmarrja ditëve të kaluara në vazhdën e kundërshtimeve lidhur me pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit.