4.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Ali ​Ahmeti për nismën “Open Balkan”: S’po përgatitet ndonjë ripushtim i Kosovës

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vlerëson se Kosova duhet të shoh interesin e saj në raport me zhvillimet rajonale, por thotë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk është përgatitje për një “ripushtim të Kosovës”.

Në një intervistë për KosovaPress, Ahmeti flet edhe për pozicionin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën marrëveshje thotë se ende nuk po zbatohet e plotë ndonëse shton se paragjykimet e ushqyera me shekuj ndaj shqiptarëve sot ndjehen më pak.

Javë më parë, liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë u mblodhën në Forumin e Shkupit duke e pagëzuar nismën e “minishengenit ballkanik” si “Open Balkan” ose “Ballkani i Hapur”, e në të cilën nismë Kosova refuzon të marrë pjesë.

Lidhur me këtë, Ahmeti thotë se secili shtet duhet të shoh interesin e tij dhe të pranojë atë çfarë është e dobishme për të e më pas të vendosë nëse dëshiron t’i bashkohet kësaj nisme.

“Gjerat nuk duhet të merren me emocion, gjërat duhet parë me gjakftohtësi, çka është e dobishme për Kosovën të pranohet, çka mund të jetë e dëmshme mos të pranohet. Por nga këto nisma unë nuk shoh që përgatitet ndonjë ripushtim i Kosovës, kjo është nismë që vullnetarisht mund t’i bashkëngjiten edhe vendet e tjera të rajonit, mund të mos i bashkëngjitën, secili shtet sheh interesat e veta, aty ku rrezikohen e kërcënohen interesat e shtetit sigurisht që nuk i bashkëngjitet një nisme të tillë”, thotë Ahmeti.

Ahmeti thotë se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, ku shton se përderisa i gjithë rajoni e synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nevojitet bashkëpunim dhe se pa paqe dhe siguri vendet e rajonit nuk do të arrijnë në BE.

Sot kur bëhen dy dekada prej nënshkrimit të marrëveshjes e cila i dha fund konfliktit në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, Ahmeti thotë se ai dokument ishte faktor i rëndësishëm për normalizimin e raporteve në mes të dy komuniteteve.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim të plotë, ku përmend ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Te zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe ka ngecje, por sigurisht që duhet më shumë përkushtim por edhe ndërgjegjësim edhe të palës maqedonase sepse ka nga pala maqedonase që e bojkotojnë, që e anashkalojnë, këto janë çështje me të cilat jemi përballë tash e 20 vite dhe nuk duhet shumë të dëshpërohemi sepse të tjerët nuk punojnë me dinamikën që kërkojmë ne. Jam shume i sigurt që me investimet në kuadro që kemi bërë do të përshpejtohen këto procese”, thotë ai.

Ahmeti thotë se në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ketë sektorë ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar.

“Kjo është detyrë e institucioneve ligj-zbatuese që të jenë më të shkathët, më të përgatitur që ta kontrollojnë funksionimin e ligjit, zbatimin e ligjit. Ka akoma dikastere ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar, edhe në mungesë të kuadrove, kemi dikastere që deficit kemi të kuadrit, na duhet të përgatisim kuadro të reja, por gjërat kanë ecë dhe kthim pas nuk ka, shqiptarët janë të përfaqësuar në polici, ushtri, administratë… Ka mbetur një përqindje e vogël për t’u arritur kuota deri 25%, por këtu kemi bërë edhe taktizim që për ta arritur atë kuotë nga 23% në 25% t’i përkushtohemi edhe cilësisë, tanimë është mbyllur kapitulli i sasisë, tani duhet hapur një kapitull që t’i përkushtohemi cilësisë”, thotë Ahmeti.

Megjithatë, sipas kreut të BDI-së, paragjykimet e mëdha ndaj shqiptarëve, shumë të theksuara dikur, sot ndjehen më pak.

“Marrëveshjet që dalin nga luftërat nuk janë edhe aq të lehta, marrin kohë për zbatim, për materializim, nuk është edhe aq e lehtë për t’u tejkaluar paragjykimet që janë krijuar me shekuj midis dy komuniteteve, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk jemi në fazat e fillimit ku paragjykimet dhe dallimet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, sot është ndryshe, e ke Skënderbeun në qendër të Shkupit, e ke Hasan Prishtinën në qendër të Shkupit, e ke Isa Boletinin”, thotë ai.

20 vjet më parë, me ndërmjetësimin e amerikanëve dhe evropianëve, u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001. Dokumenti në bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img