14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Dyftyrësia e vendimit të Vjosa Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës, KQZ lejon votimin me dokumente të skaduara

Një ndër vendimet e para të rëndësishme të Vjosa Osmanit, si presidente e Kosovës, ishte shkarkimi i Valdete Dakës nga detyra e kryetarës së KQZ-së, institucion ky i cili u vlerësua me notën maksimale për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, me arsyetimin se Daka kishte mundësuar lejimin me dokumente të skaduara, shkruan Insajderi.

Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili gjatë gjithë kohës atakoi figurën e Valdete Dakës, pasi ajo insistonte në zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me 14 qershor të këtij viti mori vendim për shkarkimin e Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, me pretekstin se ajo kishte cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

Një nga pikat e përmenduar për shkarkimin e Dakës nga detyra e kryetares së KQZ-së, ishte edhe mundësimi i votimit duke përdorur dokumente me afat të skaduar, edhe pse Valdete Daka kishte qenë kundër këtij propozimi, të cilin e kishte bërë pikërisht përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, parti me të cilën vetë presidentja aktuale kishte garuar në zgjedhjet e fundit.

“Së treti, trajtimi i pabarabartë i qytetarëve ndodhi edhe kur u lejua votimi duke përdorur dokumente me afat të skaduar. Kjo për arsye se KQZ-ja nuk mori parasysh se një vendim i tillë nuk mund të aplikohet te të gjithë qytetarët” – thuhej në vendimin e Osmanit, edhe pse Valdete Daka kishte votuar kundër këtij propozimi.

Pika III e vendimit të shkarkimit të Valdete Dakës nga Vjosa Osmani, ku decidivisht përmendet mundësimi i votimit me dokumente me afat të skaduar.

“Meqenëse ky propozim është në kundërshtim me ligjin për zgjedhje të përgjithshme respektivisht të nenit 90, unë nuk e mbështes këtë propozim”, i ishte përgjigjur Valdete Daka propozimit të Sami Kurteshit, por një fakt i tillë u injorua nga Vjosa Osmani, e cila ia veshi gjithë përgjegjësinë kryetares së KQZ-së, edhe pse ajo kishte vetëm një vote sikurse të gjithë përfaqësuesit e partive tjera politike, ku Vetëvendosje si partia më e madhe, i kishte dy përfaqësues.

Menjëherë pas vendimit të shkarkimit presidentja Osmani publikoi vendimin e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

E kur nuk janë mbushur ende dy muaj nga vendimi për shkarkimin e Dakës me arsyetimin se kishte lejuar votimin duke përdorur dokumente me afat të skaduar, KQZ në krye me Kreshnik Radoniqi, kanë vendosur që edhe në zgjedhjet komunale të 17 tetorit , të lejohet votimi me dokumente me afat të skaduar.

Vendim i sotëm i KQZ-së vlen për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, por edhe të votuesve në ditën e zgjedhjeve lokale më 17 tetor dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Anëtarët e KQZ-së erdhën deri tek ky vendim duke u mbështetur në vendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për zgjatjen për 6 muaj të afatit të përdorimit të letërnjoftimeve për shtetasit e Republikës së Kosovës, por që nuk mungoi debati.

Vendimi i sotëm është edhe një dëshmi shtesë i asaj çfarë dihet, se vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës ishte i motivuar politikisht, me argumente pa bazë ligjore, që ende pa kaluar 60 ditë janë provuar katërciprërisht si të pavërteta./Insajderi.org/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img