Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka reaguar për aksidentin tragjik në Kroaci të autobusit të linjës Frankfurt – Prishtinë që mori jetën e 10 personave të dielën, raporton Gazeta Express.
Maas ka thënë se ekipet e ministrisë që drejton janë në kontakt me Kosovën dhe Kroacinë për të ndihmuar të mbijetuarit dhe se në mesin e të vdekurve është edhe një gjerman.
“Së bashku me miqt tanë në Kosovë dhe Kroaci ne mbajmë zi për viktimat e aksidentit të tmerrshëm të autobusit. Ekipet tona janë në kontakt të ngushtë për të ndihmuar të mbijetuarit. Ne tani kemi edhe një gjë të sigurt të trishtë se në mesin e të vdekurve është edhe një shtetas gjerman”, ka shkruar Maas.
Gemeinsam mit unseren Freunden in #Kosovo ???????? und #Kroatien ???????? trauern wir um die Opfer des furchtbaren Busunglücks. Unsere Teams sind in engem Kontakt, um den Überlebenden zu helfen. Wir haben nun die traurige Gewissheit, dass sich unter den Toten auch eine Deutsche befindet.
— Heiko Maas ???????? (@HeikoMaas) July 27, 2021
Policia kroate tha të dielën se në orën 6:19 të mëngjesit pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.
Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte të dielën në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.