Nexhat Rexhepi, një shtetas i Kosovës i cili jeton në Austri, ka akuzuar një zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje për mashtrim dhe dëmtim në vlerë prej një mijë eurove.
Ai thotë se Berat Ganiqi, një zyrtar nga Komuna e Pejës i Lëvizjes Vetëvendosje, i ka pranuar një mijë euro për një shërbim ligjor por, sipas Rexhepit, nuk i ka arsyetuar kurrë. Ganiqi, është kontaktuar përmes adresës elektronike të hënën, por nuk është përgjigjur ende në pyetjet e gazetës.
Rexhepi, 49-vjeç, pretendon se pasi “isha arrestuar padrejtësisht” më 2017 në pikën kufitare të Dheut të Bardhë – teksa po udhëtonte nga Austria për në Kosovë – kishte kërkuar ndihmë nga Lëvizja Vetëvendosje. Thotë të ketë telefonuar në një nga qendrat e thirrjeve të vendosura në dispozicion nga LVV-ja.
“Unë me të ditur se në mbulimin e rastit tim qëndronin shumë njerëz të LDK-së dhe për faktin se unë jam mërgimtar, vendosa të thërras në Lëvizjen Vetëvendosje. Kam thirrur në njërën prej qendrave të thirrjes së LVV-së (tash nuk e di saktë në cilën qendër kam telefonuar). Por di që ua kam treguar rastin dhe më kanë sugjeruar avokat Berat Ganiqin, numrin e të cilit ma kanë dhuruar po ashtu”, ka rrëfyer Rexhepi për Insajderin.
Në lidhje me rastin e arrestimit të tij për “sulm ndaj personit zyrtar”, ai thotë se është ankuar dhe e ka denoncuar në “të gjitha institucionet e Kosovës”.
Në vazhdimësi Rexhepi ka planifikuar të përpilojë, përmes një avokati, një padi ndaj zyrtarëve që ai i bën përgjegjës për rastin e tij.
Kësisoj, me sugjerimin e marrë nga Lëvizja Vetëvendosje, ai thotë se ka kontaktuar dhe e ka angazhuar Berat Ganiqin për përfaqësimin e tij ligjor. Rexhepi thotë se Ganiqit ia ka dërguar një mijë euro përmes Western Union, agjencisë së transfertave të parave.
“Pasi kam kontaktuar me Beratin, ai më ka thënë se mund të bëjë padinë dhe pasiqë kemi rënë dakord rreth çmimit, jemi pajtuar që ai të bëjë padinë ku edhe ka kërkuar që t’ia dërgoj të gjitha të dhënat rreth rastit, si dhe paratë të cilat ia kam dërguar përmes Western Union”, rrëfen Nexhat Rexhepi nga Komuna e Gjilanit.
“Ta them të drejtën unë nuk i dërgoj para askujt pa e njohur mirë, mirëpo besueshmëria ndaj VV-së më ka bind. Pasi ia kam dërguar Berati Ganiqit paratë dhe faktetet rreth rastit, ai më ka thënë se brenda një jave ai do të më dërgonte padinë dhe llogaritë e pagesës, mirëpo ai këtë nuk e bëri. Për çdo javë filloi të përdorte arsyetime të ndryshme, të cilat m’i shtuan dyshimet tek ky njeri”, thotë ai.
Sipas Rexhepit, pas shumë lutjeve, “në janar të këtij viti ai ma ka dërguar një kopje të padisë por pa vula”.
“Më 22 shkurt, ai ma dërgoj padinë me dy vula, por të cilat ishin të dyshimta për mua pasiqë nuk shihej kurrfar steme e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
“Për ta vërtetuar dyshimin tim e kam telefonuar Gjykatën, dhe nga gjykata më kanë thënë se kjo padi nuk figuron askund. Më kanë kërkuar kopjen e padisë, dhe pasi ua kam dërguar kopjen e padisë, një javë më vonë, më 08.03.2021, më kanë thënë se këtë padi referentët nuk po mund ta gjejnë askund”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi rrëfen se gjatë këtij viti ka kontaktuar me disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën nga Komuna e Suharekës, por shpjegon se nga Zyba ka pranuar një përgjigje të zbehtë.
“E diskutoj me profesionistë të fushës dhe bisedojmë”, thuhet në përgjigjen që Zyba i ka kthyer Rexhepit, në një e-mail përshkrues të rastit që mërgimtari i kishte nisur në adresë të tij paraprakisht.
Rexhepi thotë se ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ndërkaq lënda e tij ndodhet në Degën e Gjykatës në Kamenicë. /Insajderi.org