Pas sigurimit të medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Distria Krasniqi doli në një konferencë, duke folur për shumë mediume të ndryshme botërore.
Gjatë konferencës për media, Distria tregoi që këtë fitore të madhe ia dedikon të gjithëve që e kanë përkrahur deri tani.
“Fitoren ia dedikoi vendit tim, sepse nuk mundem vetëm një me veçu prej vendit, trajnerit, ekipit që më ka ndihmuar për tu përgatitur, sepse pa ta nuk do të isha këtu, edhe normal familjes sime për mbështetjen”, tha Krasniqi.
Po ashtu, Distria tregoi edhe se çfarë i erdhi në mendje pasi që e kuptoi se kishte arritur ta fitojë meçin final të xhudos në “Tokio 2020”.
“Që se kam menduar që do të përfundojë kjo ditë. E di, veç e mbaj në mend që jam shtrirë dhe i kam mbyllur sytë, edhe nuk mund ta besoja që ka përfunduar kjo ditë, kaq me rëndësi që e kam pasur gjatë tërë jetës”, tha Krasniqi.
Distria Krasniqi është sportistja e parë nga ekipi olimpik i Kosovës që ka siguruar medalje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, kështu duke e fituar medaljen e artë olimpike, të dytën në histori të “Dardanëve”.
Në finalen e madhe, Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë e mposhti xhudisten japoneze Funa Tonaki.