-2.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Tenderi milionësh mund ta çojë në burg Hysen Durmishin e shtetin në arbitrazh

“Tiketa ngjitëse” mund ta vë para drejtësisë zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Nënshkrimi e më pas edhe pezullimi i marrëveshjes që i obligonte qytetarët të paguanin shumën prej 5 eurove sa herë që do t’i regjistronin veturat nga 1 shtatori i këtij viti e tutje, po shihet si i dyshimtë nga njohës të fushës dhe partitë opozitare, raporton Gazeta Infokus.

Ishte vetë Durmishi, ai që publikisht e pranoi se me këtë tender nuk ishte gjithçka në rregull. 

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”, ka konfirmuar Durmishi.

Këtë e bëri një javë pasi u sollën dëshmi se tenderi ishte i kundërligjshëm.

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”, u arsyetua ai.

Kjo situatë, sipas avokatit Besnik Berisha, u hapë rrugë të gjithë atyre që mendojnë se ka pasur shkelje në këtë proces që të dërgojnë rastin në prokurori.

Mirëpo, Infokus kishte gjetur dëshmi se ky tender ishte nënshkruar në kundërshtim me opinionin e Zyrës Ligjore të Ministrisë. E gjithë kjo ishte bërë me dijeninë e plotë edhe të ministrit Liburn Aliu.

Me 25.05.2021, Zyra Ligjore e Ministrisë së Infrastrukturës, i ishte drejtuar nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtorit të operatorit ekonomik, “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, Sedat Troshupa, me ç’rast e kishte njoftuar lidhur me procesin e tenderit për ofrimin e shërbimit “Tiketa Ngjitëse”.

Në atë përgjigje, Zyra Ligjore e kishte njoftuar operatorin ekonomik dhe njëkohësisht edhe ministrin Aliu, zëvendësministrin, Durmishi, kabinetin e ministrit dhe Departamentin e Automjeteve se ky proces ishte anuluar me vendim të Sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie me datë 04.10.2019.

Infokus e argumentoi këtë duke sjellë edhe numrin e protokollit që mbante vendimi, e që ishte 01.11756. Dokumenti sqaronte edhe detaje tjera se si Zyra ligjore i ishte përgjigjur në kërkesë drejtorit të kompanisë “Auto Kontroll Kosova Sh.P.K”, pasi paraprakisht kishte pasur takime dhe kërkesa nga vetë ministri Aliu.

Në vendim thuhej qartë se janë anuluar të gjitha veprimet që rrjedhin për vlerësimin e ofertave të tiketës se rregullsisë teknike të mjeteve me veprim motorik. Me këtë rast, Departamenti i automjeteve ishte obliguar për zbatimin e këtij vendim.

Mundësia që rasti të përfundoj në arbitrazh

Durmishi pati deklaruar se për tre muaj rresht nuk e kishte nënshkruar këtë tender, dhe në fund e kishte bërë këtë, me qëllim që të shmangte rrezikun që kompania fituese ta padiste ministrinë.

Faktikisht, kompania nuk do të mund ta padiste shtetin meqë tenderi ishte anuluar.

E kundërta mund të ndodh nëse tash anulohet ky tender. Fituesi i tenderit tash e ka bazën juridike për të proceduar rastin në arbitrazh.

Një jurist i ka thënë Gazetës Infokus në kushte anonimiteti se operatori e fiton me shumë siguri rastin në arbitrazh, me ç’rast, pos dëmit nga humbja e tenderit mund të kërkoj edhe dëmshpërblim për dëmtimin e imazhit të kompanisë.

Sipas tij, nëse anulohet tenderi, rasti mund të mos përfundoj në gjykatë, vetëm nëse ka një marrëveshje mes operatorit dhe zëvendësministrit.

Para se të merret verdikti për këtë tender, janë partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, që po kërkojnë nga prokuroria që të inicioj hetimet rreth këtij rasti.

Derisa shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë për Infokus-in se janë duke e shqyrtuar mundësin që rastin ta dërgojnë në prokurori, është kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai që i ka bërë thirrje prokurorisë të merret me këtë rast.

Abdixhiku ka përkujtuar se kur ka qenë ministër i Infrastrukturës kishte refuzuar të nënshkruante një kontratë të tillë, sepse kishte konsideruar se ishte shpërdorim i panevojshëm i parasë publike.

“E ftoj prokurorinë – që të ndërpresë misionet me direktiva politike para zgjedhjeve lokale – se s’i bëjnë punë; e të hetojnë këtë shpërdorim 2 milionësh që ju ndodhë para sysh”, ka deklaruar lideri i LDK-së.

Kundër taksës 5 eurove, tash është edhe ministri Liburn Aliu. Nga foltorja e Kuvendit, ai ka siguruar qytetarët se kjo taksë nuk do të aplikohet.
Rasti, megjithatë është i hapur!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img