Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpo ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani thotë se Kushtetuesja asnjëherë nuk e ka kontestuar Asociacionin pse ai është një etnik.
“Asociacioni nuk është kontestuar mbi bazën se është një etnik, pasi ajo nuk ka qenë objekt diskutimi. Problemi ka qenë se Asociacioni merr disa kompetenca që i kanë komunat e Kosovës”, ka deklaruar Hasani në “Debat Plus”.
Hasani thotë se nuk duhet të ndryshohet Kushtetuta për themelimin e Asociacionit.
“Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses tregon saktësisht se si duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kosova ka marrë zotime për zbatimin e marrëveshjeve të Asociacionit dhe Washingtonit dhe këto zotime sipas tij duhet të zbatohen.