Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur se në Kosovë ka ndodhur ndryshim gjigant në 100 ditët e qeverisjes.
Ai është pyetur në konferencë edhe për Raportin e Ujmanit të dorëzuar nga SHBA, për çfarë ka deklaruar se qëndrimet e tij sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta.
“Mund të bëhen analiza dhe studime. Liqeni i Ujmanit është i Kosovës, nga Kosova”, u shpreh Kurti.
“Për Marrëveshjen e Washingtonit kam thënë se pika e saj më e vlefshme është ajo e fundit që është realizuar [njohja nga Izraeli], por nuk mund të flasim se nuk ka ndodh 14 shkurti. Ka njerëz që jetojnë në të kaluarën por nuk besoj që ata i përkasin të ardhmes”.
Kurti ka theksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi, varet nga Serbia.
“Kur do të ketë marrëveshje për njohje të ndërsjellë nuk varet nga unë, varet nga Serbia. Prioritet i yni është punësimi dhe drejtësia, menaxhimi i pandemisë”.
Ndryshe, në raportin e Ambasadës së SHBA-së, propozohet formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Ujmani është liqen artificial që shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë.
Liqeni i Ujmanit ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 km2 në territorin e Serbisë.