1.6 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata Speciale mund ta trazojë skenën politike

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të procedojë mbi principet e drejtësisë dhe e pandikuar politikisht, por personat që do të akuzohen dhe vendimet e kësaj gjykate mund ta tronditin skenën politike në Kosovë, vlerësojnë njohësit e fushës së drejtësisë dhe të zhvillimeve në vend.

Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (që njihet si Gjykata Speciale), David Schwendiman, i cili gjatë javës së kaluar ka vizituar Prishtinën, u ka thënë autoriteteve të vendit se pret mbështetjen e tyre të mëtutjeshme në këtë proces.
Ai e ka potencuar rolin e tij të pavarur dhe ka thënë se në mandatin e tij do të udhëhiqet vetëm me fakte dhe se do të punojë pa frikë. Gjithashtu, ai ka theksuar se puna e Dhomave të Veçanta nuk është orientuar kundër ndonjë organizate apo grupi etnik.
Se Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht, beson edhe Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare. Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, kjo gjykatë është e konceptuar dhe ndërtuar sipas parimeve dhe standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare, ku janë të garantuara të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut.
Profesor Salihu shpreh mendimin se procedurat që do të zhvillohen ndaj të dyshuarve potencial për krime do të përfundohen vetëm nëse grumbullohen dhe sigurohen prova të pamohueshme për fajësinë eventuale të personave për të cilat ekzistojnë dyshimet.
“Kjo gjykatë, asnjë të pafajshëm nuk do ta dënojë. Eventualisht mund të lirohet dikush që është i fajshëm për shkak të mungesës së provave. Kështu që, unë jam i bindur se kjo gjykatë nuk do të ketë ndikime politike”, tha profesor Salihu.
Mendim të ngjashëm ka edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë duhet të fillojë me punën sa më parë.
Sipas tij, është paraparë që kjo gjykatë që merret me krimet që i kanë bërë shqiptarët, gjegjësisht pjesëtarët e UÇK-së, por ai nuk konsideron që vendimet e gjyqit do të jenë politike. Por, megjithatë, ai shpreh mendimin se vendimet e kësaj gjykate, megjithatë, do të reflektojnë në skenën politike në Kosovë.
“Duke marrë parasysh që supozohet se do ketë të akuzuar zyrtarë të lartë të ish- UÇK-së, besoj që kjo do të reflektojë në skenën politike në Kosovë. Mirëpo, përfundimisht, ne duhet të presim që të shohim se kush do të jetë i akuzuar dhe cili do të jetë aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Speciale, në mënyrë që ta dimë ose që të mund ta përcaktojmë se çfarë ndryshimesh në skenën politike në Kosovë do të sjellin këto vendime”, thotë Blakaj.
Profesor Salihu thekson se me vet faktin që një numër i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot janë të pranishëm në skenën politike dhe institucionale të Kosovës, ngritja e akuzave eventuale ndaj dikujt prej tyre, si të dyshuar eventual të mundshëm, do të reflektojë në skenën politike, por edhen opinionin vendor dhe ndërkombëtar. Madje, sipas tij, efektet e para kanë qenë të vërejtura që nga themelimi i kësaj gjykate, rreth 1 vjet e gjysmë më parë.
“Për vet faktin që pritet nga dikush se do të ngritët akuza ndaj tij, është ndjenjë jo e këndshme, është ndjenjë e pasigurisë dhe ajo ndikon gjithashtu edhe në punën, frymën dhe jetën e përditshme të skenës politike të Kosovës. Kjo tashmë po shihet, sepse është një lloj frustrimi në radhën e njerëzve, posaçërisht në radhën e atyre që eventualisht mendojnë se do të përballen me juridiksionin e kësaj gjykate”, tha profesor Salihu.
Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë ose Dhoma e Prokurorisë së Specializuar dhe Dhoma e Gjykatës së Specializuar, janë pjesë të sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë, në të cilën do të punojë personeli ndërkombëtar.
Kjo gjykatë ka natyrë të përkohshme dhe mandati i saj konkret ndërlidhet me krimet e caktuara kundër njerëzimit dhe krimet e luftës nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, krime të cilat pretendohet t’i kenë bërë pjesëtarët e UÇK-së mbi pakicat etnike dhe kundërshtarët politik. Dhomat e Veçanta do të merren me lëndët nga raporti i Dik Martit, raport i cili është edhe i Këshillit Evropian./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img