3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Nuk e pranojnë fajësinë dy të akuzuarit për korrupsion dhe i akuzuari për marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender

Besim Tahiri dhe Gëzim Osmani janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, përderisa Hajredin Hajra është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të marrëveshjes për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Naim Abazi, tre të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Kujtim Krasniqi i informoi të njëjtit me të drejtën e tyre për të kërkuar hudhjen e aktakuzës e për të kundërshtuar provat, në afat prej 30 ditësh..

Prezent në këtë seancë ishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Adem Vokshi, Florim Lata, Skender Gashi dhe Alban Arifi.

Aktakuza ndaj Besim Tahirit, Gëzim Osmanit e Hajredin Hajrës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021.

Besim Tahiri akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokomi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës 1 vit ndërsa ka nënshkruar kontratën me afat prej 2 vite, pastaj ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60,000.00 euro në 832,235.69, si dhe ka lidh aneks kontratën më 30 nëntor 2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë, edhe pse ishte në kundërshtim me nenin 35, paragrafi 2.4.i LPP-ës, ku vlera e kësaj aneks kontratë është me vlerë shumëfishë më e lartë se që është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 35, par 2.4), krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772.235.69 euro.

Me këtë, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Gëzim Osmani, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore 25 gusht 2016 e deri më 7 nëntor 2018, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdor pozitën zyrtar, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësit e tij të cilat ishin caktuar me vendimin me NR.Pro.35831 të 25 gusht 2016.

Në aktakuzë thuhet se Osmani, në cilësinë e menaxherit të projektit, ishte i obliguar që të sigurohej se operatori ekonomik i përmbushte të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, t’i dorëzojë raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikoj sasitë e punëve të kryera, nënshkruaj ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat për pagesë. Lidhur me këtë thuhet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik “Eurokod”, me të cilin rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetencat e menaxherit të projektit duke kërkuar pozicione shtesë në emër të aneks kontratës, kurse pas nënshkrimit të aneks kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772,235.69 euro.

Me këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Hajredin Hajra akuzohet se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K., me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C 2 dhe C 3”, më 17 qershor 2016, në Prishtinë, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se marrëveshja për themelimin e grupit të operatorëve ekonomik “Eurokod”, SH.P.K dhe “Engenieering Group” SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kriteret formale, më saktë të përdorej referenca e “Engenieering Group”, kurse në zbatim të kontratës ishte përjashtuar operatori ekonomik “Engenieering Group” nga i pandehuri, me të cilin rast nuk e kishte lejuar të marrë pjesë në implementim të kontratës me numër MI/16/071/221, të 20 korrik 2016, me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore.

Me këtë, Hajra akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender” nga neni 309, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryesi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img