Kapiteni i Francës, Hugo Lloris, e ka mbrojtur Kylian Mbappen për penalltinë e humbur kundër Zvicrës, e cila i kushtoi Francës me largim të hershëm tronditës nga Kampionati Evropian 2020.
Pas një betejë të zjarrtë 3:3 gjatë 120 minutave lojë, Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti.
Dhe, me atë fitore, Zvicra e rrëzoi kampionen e Botës 2018 dhe favoritin kryesor të Euro 2020. Mbappe ishte i vetmi që e humbi penalltinë.
Por portieri dhe kapiteni i gjelave e ka mbrojtur yllin e Paris Saint-Germain pas ndeshjes, duke thënë se i tërë ekipi është përgjegjës për eliminimin.
“Në futboll, ne fitojmë së bashku dhe humbim së bashku”, tha Lloris i pyetur për Mbappen.
“Të gjithë ne jemi përgjegjës për eliminimin. Është e dhimbshme dhe nuk duhet t’i drejtojmë gishtin e fajësisë asnjërit. Të gjithë luftuam së bashku kundër kundërshtarit dhe nuk kemi pse gjejmë arsyetime. Duhet ta urojmë ekipin zviceran, ishte i mrekullueshëm”, shtoi ai.
Zvicra do të përballet me Spanjën në çerekfinalen e së premtes, e cila është e para në historinë e saj në Euro.