0.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Urdhërohet ZPS-ja që brenda 10 ditësh të paraqesë aktakuzën e korrigjuar në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që deri me 5 korrik të paraqesë aktakuzën e korrigjuar në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

I njëjti po ashtu ka ndryshuar edhe datën e transmetimit të dosjes paraprake te trupi gjykues, ku tanimë ka caktuar datën 16 korrik. Ndërkaq, sipas gjyqtarit, nëse mbrojtja dëshiron mund të paraqesin dosjet paraprake deri me 12 korrik.

Kurse, konferenca mbi ecurinë e çështjes që ishte paraparë të mbahet këtë të premte, është rivendosur për datën 14 korrik, me fillim nga ora 15:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deri te ky urdhër i gjyqtarit paraprak erdhi pasi Kolegji i Gjykatës së Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së Gucatit e Haradinaj dhe me anë të vendimit, kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Kai Amboska, ka urdhëruar panelin përgjegjës për çështjen të drejtojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të paraqesë një version të korrigjuar të aktakuzës në dritën e udhëzimeve të mëposhtme:

a) hollësitë e mëtejshme në lidhje me identitetin e bashkëkryerësve dhe bashkëpunëtorëve (të paktën, sipas grupit, kategorisë ose përkatësisë, dhe, kur është në dispozicion, me emër) duhet të përfshihen në Aktakuzë në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikat 1-3; b)hollësitë e mëtejshme në lidhje me kategoritë e personave të nxitur dhe të ndihmuar duhet të përfshihen në paragrafët 41, 42, 43, 44, 45 dhe 46 të Aktakuzës në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën Pikat 1-3; c)formulimi “dhe / ose” në paragrafët 16, 26, 28, 30, 39 dhe 46 të Aktakuzës duhet të ndryshohet në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikën 4; d) fjala “përfshirë” duhet të hiqet nga paragrafët 12, 21 dhe 27 të Aktakuzës dhe formulimi i këtyre paragrafëve duhet të rishikohet në përputhje me gjetjet e Panelit të Gjykatës së Apelit nën pikën 5“, thuhet në vendim të kolegjit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img