1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

E pranon EULEX: Kemi dhënë informacione te Serbia

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë

Në një komunikatë për media thuhet se EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet hetimore dhe rastet.

“Përgjatë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni është përpjekur të siguronte përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Sidoqoftë, deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë”, thuhet në komunikatë.

Në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë.

Në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione dhe u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht, thuhet më tej në komunikatë.

Në të gjitha këto rrethana, sipas EULEX-it, bashkëpunimi me autoritetet serbe, i cili ka çuar në një gjykim të shkallës së parë ku nëntë të pandehur u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, ishte i bazuar në dispozitat përkatëse të kodit të aplikueshëm të procedurës penale të Kosovës si dhe legjislacionin për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për çështjet penale.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe të bashkëpunimit, të gjitha dosjet origjinale të krimeve të luftës mbetën në posedim të EULEX-it, kurse ato më pas iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Më konkretisht, deri në dhjetor 2018, EULEX-i u dorëzoi autoriteteve të Kosovës 495 dosje të rasteve të policisë për krim të organizuar, 434 dosje të rasteve të policisë për krime lufte, dosje të rasteve të personave të zhdukur, dosje të rasteve gjyqësore të trajtuara vetëm nga EULEX-i dhe më shumë se 1.400 dosje të rasteve prokuroriale. Dosjet e rasteve prokuroriale përbëheshin nga rastet në proces, rastet të cilat ishin pushuar ose përfunduar, si dhe rastet të cilat ishin përfunduar dhe arkivuar nga EULEX-i. Shumica e këtyre dosjeve të rasteve kanë të bëjnë me krime lufte, krim të organizuar, korrupsion dhe krime të tjera të rënda”, përfundon komunikata.

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons kishte dërguar më 3 qershor 2021 në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, një pjesë të dëshmisë së tij për skandalet e kryera nga misioni i BE-së për sundim të ligjit. Mbi këtë bazë, duke kërkuar të raportojë në Kuvendin e Kosovës për të gjitha këto pretendime. Dëshminë e Simmonsit drejtuar kryeministrit, e ka siguruar Radio Televizioni i Kosovës.

Aty, përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-it me prokurorinë në Beograd, Simmons jep detaje dhe shpreh dilema për punën e Gjykatës Speciale. Deri më tani, nga qeveria nuk janë përgjigjur në këtë letër të Malcom Simmons. Ishte prokurori i parë i specializuar i Gjykatës Speciale në Hagë.

Por, në këtë pozitë, David Schwendiman nuk qëndroi më shumë se dy vjet. Asokohe kishte thënë se po jepte dorëheqje për shkak të zbatimit të ligjeve amerikane, që sipas tij nuk ia lejonin mbajtjen e kësaj pozite më gjatë. Por, është ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, që po pretendon se pas largimit të Schwendiman fshihet edhe diçka tjetër.

Në dëshminë e tij 25-faqëshe drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Simmons ka shkruar se Schwendiman ishte përjashtuar për shkak nuk kishte gjetur prova për krerët e UÇK-së.

Letrën e plotë të Simmonsit drejtuar Kurtit, e ka siguruar RTK, e nëpërmjet të cilës ai kërkon të raportojë në Kuvend. Malcom Simmons pretendon se Gjykata Speciale ishte mbështetur nga ndërkombëtarët, për tu afruar me Serbinë pasi këta të fundit, nuk besonin në Gjykatat e Kosovës. “Pas themelimit të Dhomave të Veçanta të Kosovës, fillova të dëgjoja thashetheme që qarkullonin te Menaxhmenti i lartë se Brukseli nuk ishte i kënaqur me prokurorin e Dhomave të Veçanta, David Schëendeman, sepse zyra e tij nuk kishte ngritur aktakuza. Insinuata në atë kohë ishte se zyra e prokurorit kishte menduar se provat kundër disa anëtarëve të profilit të lartë të UÇK-së ishin të pamjaftueshme. Isha i informuar se diskutimet vazhdonin në Bruksel me pikëpamjet që z. Schmendenman të zëvendësohej nga një person tjetër që do të mund t`i besohej.”, thuhet fillimisht në dëshminë e Simmons.

Në letrën që e dërgoi më 3 qershor, Malcom Simmons tregon deri në detaje pretendimet për keqpërdorime të EULEX-it në raste të ndryshme kundër ish-krerëve të UCK-së. Me kërkesën që të raportojë në Kuvend, Simmons ia ka bërë të ditur Kurtit, se dhjetëra dosje prokurorët e EULEX-it i kishin dërguar te Prokuroria e Beogradit. Sipas tij, EULEX-i asnjëherë nuk e kishte lejuar ta hetonte këtë gjë.

“Para caktimit tim si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it, isha në dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve te autoritetet prokuroriale të Serbisë. Unë gjithashtu isha në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe atyre të Serbisë. Në të vërtetë, prokurorët e EULEX-it udhëtonin në Serbi në shumë raste, për t`i diskutuar lëndët me prokurorët serbë. Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi.”, i ka shkruar tutje Simmons kryeministrit Kurti.

Në letrën e tij, ish-gjyqtari flet për ndikime politike në rastin Klecka, Drenica dhe atë të Oliver Ivanoviq. Të gjithë gjyqtarët që nuk respektonin urdhrat nga lartë, e që sipas Simmonsit vinin nga Brukseli, të njëjtit akuzoheshin për korrupsion. Gjithçka në EULEX, sipas tij, varej për ta çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi.

“Ekzistonin po ashtu objektiva të qarta politike të misionit. Për komunitetin ndërkombëtar, prioritet u bënë marrëdhëniet me Serbinë dhe shtyrja përpara e dialogut Prishtinë-Beograd. Ata që e pengonin procesin shiheshin si obstruksionistë që duhej të largoheshin nga pozitat me pushtet dhe ndikim. Gjyqtarët e EULEX-it ishin mjeti për ta arritur këtë. Ajo që nuk mund të arrihej me anë të dialogut politik, do të arrihej përmes procesit të shtrembëruar gjyqësor. Këtu përfshiheshin personat e tërë spektrit politik, jo vetëm ish-komandantët e UÇK-së, por edhe politikanët e popullarizuar.”, thuhet në letër.

Deri më tani nga Qeveria nuk ka kthyer përgjigje për letrën e Malcom Simmons, përderisa i njëjti është në pritje të një përgjigjeje edhe nga Komisioni për Legjislacion. Malcolm Simmons është një ndër sinjalizuesit që raportoi për shkeljet e rënda politike dhe orkestrimin e proceseve gjyqësore në misionin e EULEX-it në proceset ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img