Me qëllim të vazhdimit të avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore;
Sot me 27.07.2016, gjatë një takimi të mbajtur në Lezhë të Shqipërisë, z. Naim REXHA, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe z. Rebani JAUPI, Zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, drejtues i lartë, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për bashkëpunim gjatë sezonit turistik 2016 në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor policor, në trajnime të avancuara në procesin e shkëmbimit të praktikave policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale.
Si rezultat i kësaj marrëveshje bashkëpunimi Policia e Kosovës do të dërgojë në Shqipëri disa zyrtarë policor të cilët do të merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në disa qytete si në Durrës, Lezhë dhe në Shkodër.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy zëvendësdrejtorët, z. Rexha dhe z. Jaupi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të dy policive, jo vetëm në fushën e rendit publik por edhe të policimit rrugor si dhe formave tjera të luftimit të kriminalitetit.