Në 22 vjetorin e zhdukjes së intelektualit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, djali i tij Andini ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi, nuk ka kuptim nëse nuk e ka prioritet çështjen e të zhdukurve.
Andin Hoti, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, përmes një postimi në facebook, ka thënë se “nëse Serbia nuk është e gatshme të bisedoj për diçka kaq humane, ajo nuk e ka lëshuar rrugën e vjetër të regjimit të Millosheviëit, dhe si pasojë, nuk ka kuptim të bisedohet për asnjë çështje tjetër, me një mendësi të tillë”.
Postimi i plotë i Andin Hotit:
“Dhimbja për mungesën e babit, nuk është vetëm sot, me 16 maj, në daten e kidnapimit të tij nga forcat serbe në burgun e Dubraves, dhimbja është çdo ditë, e dyfish më shumë kur ende pas 22 vitesh presim të dijmë mbi fatin e tij, nëse ende frymon diku, apo së paku të kemi vend ku të vendosim lulet.
Por, ditët si sot, kur lexoj reagime të shumta, mesazhe mbështetëse, postime e mijëra komente në faqe të ndryshme, më ngjallin një krenari të madhe, një vetbesim, sikur frymoj më lirshëm, një ngrohtësi që vetëm populli shqiptar din ta jep.
Mijëra falenderime për secilin që sot keni ndarë dhimbjen me ne, që sot jeni bërë ne dhe po kërkoni bashkë me ne zbardhjen e fatit të babit, dhe fatit të shumë të zhdukurve tjerë në Kosovë.
Dialogu Kosovë – Serbi, nuk ka kuptim nëse nuk e ka prioritet çështjen e të zhdukurve.
Nëse Serbia nuk është e gatshme të bisedoj për diçka kaq humane, ajo nuk e ka lëshuar rrugen e vjetër të regjimit të Millosheviçit, dhe si pasoj, nuk ka kuptim të bisedohet për asnje çështje tjetër, me një mendësi të tillë”, ka shkruar Hoti.