Për arritjen e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës, ka njoftuar edhe zyrtarisht BE-ja, në cilësinë e lehtësueses të dialogut mes dy vendeve
Sipas njoftimit, marrëveshja i mundëson kompanisë së re “MTS d.o.o” të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile. Kosovës do t’i jepet kodi digjital treshifror nga ITU, në të njëjtën kohë që kjo kompani e re do të nisë operimet.
“Palët janë pajtuar që telefonia mobile, frekuencat dhe spektret t’i jepen ‘MTS d.o.o’ në Kosovë, për të mundësuar arritjen e nivelit të mbulueshmërisë për klientët e saj. Marrëveshja po ashtu i mundëson transferimin e aseteve të ‘MTS d.o.o’ pa doganë, taksa apo detyrime”, thuhet në njoftim.
Palët janë pajtuar në marrëveshjen dyvjeçare që numrat aktualë të përdoren në numeracion të dyfishtë, në mënyrë që t’i lejohet klientëve të rinj për të përdorur numrat që tashmë i posedojnë.
Sipas BE-së në javët e ardhshme, të dyja palët do të zbatojnë një sërë masash nën lehtësimin e BE-së për të zbatuar këtë marrëveshje. Të gjithë draft dokumentet e lidhura me licencat, transferimi dhe regjistrimi i pasurive do të përfundojë deri në 28 nëntor.
“Palët do të shqyrtojnë këto dokumente dhe, në qoftë se ata bien dakord se dokumentet janë në përputhje me Marrëveshjen e Telekomunikacionit nga Marrëveshja e 2013-ës, Plani i veprimit dhe konkluzionet e lehtësuesit të BE-së të vitit 2015, Serbia do të dërgojë një letër ITU-së më 3 dhjetor duke rënë dakord se një kod treshifror mund të ndahet për Kosovën. BE-ja mirëpret këtë rezultat dhe nxit të dyja palët që të përshpejtojnë progresin për zbatimin e Marrëveshjeve të tjera të arritura, në veçanti atë për Asociacionin / Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Energjinë”.