1.6 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Haxhiu, Këshillit prokurorial: Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur sërish pas reagimit të Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) lidhur me deklaratat e ministres për “grupet e fuqishme” brenda Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Haxhiu sot në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka janë dëshmitarë të gjithë.

Ajo më tej shkruan se përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje dhe të tilla mund t’i duken vetëm atyre që janë përfshirë në kalkulime.

“Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë.

Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellur shqetësimet serioze në këtë drejtim”, shkruan ajo.

Haxhiu më tej thekson se për të, si ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi.

“Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.

Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave”.

“Si Ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim!”, shkruan Haxhiu.

Ndryshe, sot Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj deklaratave të Haxhiut për “grupet e fuqishme” brenda KPK-së dhe KGJK-së”, të publikuar një ditë më parë në mediat në Kosovë.

KPK-ja, vlerëson se ky artikull, i cili shfaq paragjykime për kinse ”manipulime” për zgjedhjen e pozitave menaxheriale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në këtë rast të pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, është i pavërtetë dhe krejtësisht tendencioz.

“Në këtë kontekst, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar me shqetësim edhe deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat si të tilla janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial.

Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë?!”, thuhej ndër të tjera në reagimin e KPK-së.

Lidhur me deklaratën e Haxhiut ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“KGjK, shpreh pakënaqësi lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.

Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

KGjK thekson se zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mos diskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendor si dhe standardeve më të larta profesionale.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe kërkon nga të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla, por të angazhohemi që të punojmë bashkërisht me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tonë”, thuhet në reagim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img