Ndonëse hezituan për t’u vaksinuar me vaksinën e AstraZenecas, punëtorët shëndetësorë dje dhe sot ja kanë mësyrë sallës “1 Tetori” në Prishtinë për t’u vaksinuar me vaksinën e Pfizer.
Me t’u furnizuar me 4 mijë e 680 doza të vaksinave Pfizer, interesimi i punëtorëve shëndetësorë për ta marrë këtë vaksina ka qenë shumë i madh.
Përfaqësues të punonjësve shëndetësorë thonë se ata kanë gjetur arsye për mos t’u vaksinuar me vaksinat e AstraZenecas, për shkak se kanë dashur të vaksinohen me ato të Pfizer.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për Express se disa punëtorë shëndetësorë kanë hezituar ta marrin vaksinën e AstraZenecës, pasi kanë pritur të vijë furnizimi me vaksinat e Pfizer dhe ta marrin këtë të fundit.
Ai është shprehur se ka pasur punëtorë shëndetësorë që kanë gjetur arsyetime vetëm për të mos e marrë vaksinën e AstraZenecas.
“Është e vërtetë që në fillim kanë hezituar, kanë pritur deri të vinë tjerat, në pretekstin se kanë krijuar antitrupa. Por e vërteta qëndron se ata kanë pritur si duket vaksinën Pfizer, edhe pse unë nuk jam idhëtar i kësaj zgjedhje, por megjithatë është zgjedhja e tyre”, ka thënë ai.
Përndryshe, Syla është shprehur i shqetësuar për mosvaksinimin e pjesës tjetër të qytetarëve.
Ai ka thënë se vaksinat që kanë ardhur ditën e djeshme do të shpërndahen për dy ditë dhe se prapë do të mbesim në pritje të tyre.
“Unë e kam hallin edhe të tjerët që duhet ta marrin vaksinën, jo vetëm punëtorët shëndetësorë. 5 mijë vaksina nuk janë asgjë, pothuajse për dy ditë do të shpërndahen dhe prapë duhet të presim. Por, ky proces është i mbyllur dhe nuk kemi asnjë bashkëpunim me ministrinë”, ka shtuar ai.
Se ka pasur interesim të madh për t’u vaksinuar me vaksinën e Pfizer, tregon edhe numri i madh i punëtorëve shëndetësorë që kanë pritur dje në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, ka treguar për Express se procesi i vaksinimit ka shkuar shumë mirë, derisa ka thënë se interesimi për t’u vaksinuar ka qenë shumë i madh dje.
Ai ka theksuar se me vaksinat e ardhura do të vaksinojnë vetëm punëtorët shëndetësorë, derisa është shprehur i kënaqur me interesimin e këtyre të fundit.
“Procesi i vaksinimit ka shkuar shumë mirë. Ka pasur interesim shumë të madh për ta marrë vaksinën, salla ka qenë me shumë punëtorë shëndetësorë. Sot janë vaksinuar vetëm punëtorët shëndetësorë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, drejtor të Shëndetësisë në komuna kanë treguar për gazetën se interesimi i të punëtorëve shëndetësorë për ta marrë vaksinën e AstraZenecas ka qenë më i vogël, derisa presin që me vaksinat e Pfizer të vazhdojnë të vaksinojnë ata që nuk janë vaksinuar deri tani.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se me 4 mijë e 680 vaksinat e Pfizer do të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë.
Ndërsa, kategoritë tjera të mbetura sipas MSH’së, do të vaksinohen me kontingjentet tjerë të vaksinave që pritet të vinë gjatë këtij muaji dhe muajit qershor.
Kujtojmë që në hezitimin e punëtorëve shëndetësorë për ta marrë vaksinën e AstraZenecas kanë ndikuar raportimet për të mpiksjeve të rënda të gjakut pas marrjes së kësaj vaksine.
Disa shtete kanë pezulluar përdorimin e saj, megjithëse rastet që kanë raportuar mpiksje të gjakut kanë qenë të paketa.