Prodhuesi amerikan i ilaçeve, Pfizer, pret që të realizojë shitje prej 26 miliardë dollarësh nga vaksina e tij për Covid-19 gjatë vitit 2021. Vaksina pritet t’ia sigurojë më shumë se një të tretën e të hyrave vjetore.
Vaksina e zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë gjermane, BioNTech, ndikoi me 3.5 miliardë dollarë në të hyrat globale të kompanisë gjatë tre muajve të parë të këtij viti dhe kompania pret që të sigurojë 15 miliardë dollarë shitje gjatë tërë vitit.
Dy doza të vaksinës së Pfizer-it kushtojnë 39 dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe rreth 30 dollarë në Bashkimin Evropian. Këtë vit janë shpërndarë 1.6 miliard doza të kësaj vaksine. Me të janë furnizuar Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, BE-ja, Japonia, Izraeli dhe disa shtete tjera.
Raportohet se kompania tashmë e njohur është afër nënshkrimit të një kontrate me Brazilin për 100 milionë doza. Me Kanadanë dhe Izraelin ka arritur marrëveshje për furnizim edhe pas vitit 2021, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Vaksina e Pfizer-it ishte e para që u miratua nga rregullatorët shëndetësorë. Ajo duhet të ruhet në temperaturë shumë të ulët, – 70 gradë. Në muajin mars, kompanitë që e zhvilluan vaksinën e filluan testimin e saj edhe te fëmijët e moshës nga gjashtëmuajshe deri në 11 vjeç.