Policia e Kosovës pas një hetimi disamujor ka realizuar planin operativ “MASSAGE” që për qëllim kishte luftimin dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit.
Sipas policisë, ky operacion ka rezultuar me inspektimin e 31 lokaleve në Prishtinë, me ç’rast disa nga këto lokale/masazhe nuk kanë qenë fare të regjistruara në ATK si dhe nuk i kishin të deklaruara punëtoret sipas procedurave ligjore.
“Gjithashtu punëtoret kanë qenë pa kontrata pune dhe pa kualifikim adekuat, nuk është deklaruar qarkullimi ditor-mujor, nuk posedonin pëlqim sanitar, mungonin libreza sanitare, si dhe janë hasur të punësuara femra të mitura nën moshën 18 vjeçare”
Si rezultat i këtyre kontrolleve 30 lokale që ushtronin veprimtari për masazhe janë mbyllur përkohësisht nga inspektorët komunalë, ndërsa njërit nga këto lokale me vendim të Inspektoratit Komunal i është ndaluar ushtrimi i aktivitetit deri në plotësim të kushteve.
“Janë hasur duke punuar dhe duke qëndruar në RKS pa lejeqëndrim dhe leje pune 5 femra, 3 shtetase të Srb-së dhe 2 shtetase nga AL-se (3 nga këto janë dorëzuar te DMH dhe u është shqiptuar gjoba nga 100 euro për person, ndërsa dy të tjera janë në procedurë të referimit të DMH).”
“Në njërën nga lokalet është hasur një person i gjinisë femërore duke punuar e cila ishte e raportuar si person i zhdukur, ku e njëjta i është dorëzuar njësisë përkatëse e cila ka qenë duke u marrë me rastin konkret në nivel stacioni”, bën të ditur policia, transmeton Klan Kosova.