Partitë opozitare deri në këto momente po mbajnë një qëndrim kundërshtues në lidhje me kandidaturën e Vjosa Osmanit për Presidente.
Ishte Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, deklaruan që nuk kanë votë për Vjosa Osmanin për Presidente.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nuk duan një president partiak sikur Hashim Thaçi.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës .
Por sa janë gjasat që Vjosa Osmani të zgjedhet Presidente apo vendi t’u drejtohet sërish zgjedhjeve të reja?
Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, tha në një prononcim për “Gazeta Blic” se mbetet të shihet nga subjektet opozitare nëse do ta bëjnë kuorumin në raundin e tretë.
Ai tutje theksoi se asnjë kandidaturë tjetër përpos Osmanit nuk është e dëshmuar edhe tek qytetarët pasi e njëjta ka marrë një numër të konsiderueshëm votash
“Edhe pse i kemi këto deklarimet e subjekteve politike, edhe pse nuk janë të obligume që me e votu Vjosa Osmanin si kandidate, ende nuk kemi një qëndrim zyrtar nga subjektet politike opoztare në lidhje me prezencën apo mosprezencën në sallë që i bie sigurimi i kuorumit. Në raundin e tretë mjafton të jetë kuorumi prej 80 deputetësh dhe pastaj me 61 vota zgjedhet Presidenti. Kandidatura e Vjosa Osmanit është ditur që paraprakisht është e nominuar për Presidente dhe karshi një figure tjetër konsensulae që vjen nga opozita, i bie se cilado figurë që vjen nga opozita nuk është dalë në zgjedhje, pavarsisht se Presidenti tek ne asnjëherë nuk është zgjedh nga vota e qytetarëve por është zgjedh me kompromis të subjekteve politike” deklaroi Alija për Gazeta Blic.
“Mbetet me e pa qartazi qëndrimin e subjekteve politike, sa i përket jo votimit të Vjosa Osmani por prezencës së tyre në sallë për të siguruar kuorumin për raunin e tretë të votimit. Gjasat që të zgjedhet një figurë konsensuale janë shumë të vogla në këtë situatë përpos nëse subjektet politike opozitare tentojnë që të imponojnë duke e kërcënuar Lëvizjen Vetëvendosje me zgjedhje. Mirëpo edhe ky opision mbetet problematik sepse zgjedhjet e reja do t’i konvenonin prap Lëvizjes Vetëvendosje.
“Edhe në qoftëse do të ketë një tjeter kandidaturë konsensuale ai do të jetë konsensus i zorit. Rezultatet e 14 shkurtit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit e kanë përcaktu edhe çfarë do konsensusi nga subjektet politike. Nëse rezultatet e 14 shkurtit do të ishin ndryshe, subjektet politike as nuk do ta diskutonin prezencën në sallë për të siguruar kuorumin”
Ndërsa analisti Nexhmedin Sphiu tha për “Gazeta Blic” se ka dy opsione se si mund të veprohet më tutje për çështjen e Presidentit.
“Krejt kjo do të varet nga Albin Kurti pra nga zgjedhja se çfarë do të vendosë ai të bëhet. Partitë opozitare presin oferta nga Kurti për të marrë diçka nga hiset e pushtetit, nëse ai nuk është i gatshëm t’i japë, sigurisht që ata ose do t’i dorëzohen shantazhit të Kurtit ose do të shkojnë në zgjedhje të reja.
Kanidati për kryeministër Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente Vjosa Osmani kanë zhvilluar takime me UD e detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, përfaqësuese të komuniteteve dhe Listës Serbe si dhe të premten pritet të takohen edhe me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku.