dhe ky shtet evropian u bashkohet 5 shteteve të BE-së, pezullon vaksinën që pritet ta marrë Kosova

75
Advertisement

Danimarka ka vendosur që ta pezullojë përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” kundër sëmundjes Covid-19 pas paraqitjes së rasteve të koagulimit të gjakut, duke iu bashkuar kështu pesë shteteve tjera të Bashkimit Evropian që tashmë e kanë marrë të njëjtin vendim.

Advertisement

Ministri i Shëndetësisë i Danimarkës, Magnus Heunicke, deklaroi: “Tash për tash nuk mund të arrihet në ndonjë përfundim nëse ka pasur lidhje. Ne po veprojmë herët, kjo duhet të hetohet tërësisht”, shkruan Daily Mail.

Më herët, vendimin për pezullimin e përdorimit të vaksinës së “AstraZeneca”-s e kanë marrë edhe Austria, Luksemburgu, Estonia, Lituania dhe Letonia.

Ky vendim u mor nga vendet e BE-së pavarësisht faktit se rregullatori evropian i ilaçeve ka thënë se sipas hulumtimeve preliminare, grupi i vaksinave në Austri ka pak gjasë të ketë pasur lidhje me vdekjen e një infermiereje 49-vjeçare, e cila e mori vaksinën e AstraZeneca-s.

Me këtë vaksinë, e cila do të prodhohet nga Instituti “Serum” në Indi, pritet të furnizohet edhe Kosova, por nuk dihet se kur saktësisht do të arrijnë dozat e para. Këto doza në Kosovë pritet të arrijnë si pjesë e programit COVAX.

Infermierja vdiq në Austri nga tromboza e shumëfishtë – koagulimi i gjakut në enët e gjakut – dhjetë ditë pasi u vaksinua, njoftoi Agjencia Evropiane e Ilaçeve.

Një paciente tjetër u diagnostikua me embolizëm pulmonar, me ç’rast krijohen bllokada në arteriet e mushkërive, por gjendja e saj është duke u përmirësuar.

Deri të martën, edhe dy raste tjera të pacientëve me koagulim të gjakut janë identifikuar nga grupi që ka marrë dozat e pakos së njëjtë të vaksinave.

Agjencia evropiane tha se tash për tash nuk ka dëshmi që vaksina i ka shkaktuar këto probleme shëndetësore te pacientët dhe se tromboza nuk është në listën e efekteve të mundshme anësore të vaksinës.

Sipas kësaj agjencie, pjesë e grupit të vaksinave që u përdorën në Austri janë një milion doza që janë shpërndarë në 17 shtete të Bashkimit Evropian.

PostAdssFotoja e reklamës