Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për sot në ora 11:00 ka paralajmëruar shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet parlamentare 2021 të cilat janë mbajtur më 14 shkurt.
KQZ tashmë ka përfunduar numërimin e votave të rregullta, atyre me kusht dhe personave me nevoja të veçanta, dhe po ashtu sot ka përmbyllur procesin e numërimit të votave nga diaspora.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka sqaruar në detaje së cilat janë afatet ligjore për formimin e institucioneve.
Cakolli bëri të ditur se subjektet politike kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në qoftë se janë të pakënaqura me procesin zgjedhor por dhe rezultatet.
“Pas shpalljes së rezultanteve përfundimtarë të zgjedhjeve, do të fillojë të rrjedhë edhe afati ligjor prej 24 orësh, për kandidatët apo subjektet politike të cilët mund të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me procesin zgjedhor në tërësi apo në rezultatet nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve”, tha ai.
Pas PZAP-it, Cakolli thotë se subjektet politike mund të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Zakonisht këto çështje adresohen brenda 24 orëve sa është edhe afati brenda të cilave PZAP do të kthejë përgjigje, në rast se palët janë të pakënaqura edhe me vendimin e PZAP-it të njëjtat kanë kohë 24 orë prej marrjes së përgjigjes të parashtrojnë ankesa edhe në Gjykatën Supreme. Në kuadrin e institucioneve të rregullta gjyqësore Supremja është faza e fundit ku mund të parashtrojnë ankesa pa përjashtuar këtu edhe të drejtën që subjektet politike kanë që të dërgojnë lëndë edhe në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo për të cilat nuk e pengojnë aspak procesin zgjedhor por edhe certifikimin e rezultateve”, theksoi ai.
Sipas Cakollit, në qoftë se nuk ka raste të rinumërimit, KQZ mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve gjatë javës së ardhshme.
Megjithatë, Cakolli thotë se nëse shkojnë në rinumërime deri në 100 vendvotime, prapë ai proces do të përfundojë brenda ditës.
Në bazë të këtyre të dhënave (rezultateve preliminare, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta) shpërndarja e mandateve pritet të jetë si më poshtë:
LVV – 58 deputetë
PDK – 19 deputetë
LDK – 15 deputetë
AAK – 8 deputetë
Lista Serbe – 10 deputetë
KDTP – 2 deputetë
RI – 2 deputetë
IRDK – 1 deputet
Vakat – 1 deputet
PDAK – 1
UZ-AH – 1
NDS – 1
JGP- 1
NISMA, sipas rezultateve nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor.