Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit i cili ishte i dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Në lidhje me këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar si skandal faktin se është mbajtur i heshtur ky vendin dhe larg opinionit, duke thënë se ky është edhe një rrezik.
Siç thuhet në komunikatën për medie, nga LVV-ja deklarojnë se “Prokuroria speciale dhe Gjykata themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel”.
Ata kanë bërë thirrje që organet e sigurisë të jenë vigjilente ndaj kësaj ngjarjeje.
Reagimi i plotë:
Nga mediat u njoftuam se Gjykata Themelore në Prishtinë paska aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të revokuar fletarrestin për një nga eksponentët kryesor të krimit të organizuar, Milan Radojçiqin.
Kujtojmë se Milan Radojçiqi, të cilit Gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim. Po ashtu Milan Radojçiqi sipas prokurorisë ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviqit, për çka ka qenë ndër të tjera në kërkim nga organet e sigurisë.
Ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën dhe rrezik e të panjohura. Si mund dikujt që i është përgatitur fletarresti për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t’i revokohet ai? Kush është Prokurori i Prokurorisë Speciale i cili paska kërkuar nga departamenti special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës?
Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.
Prokuroria speciale dhe Gjykata themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel.
Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë.
I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje.
Institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse në vend se të ndjekin kriminelët paskan hequr dorë nga përndjekja. Këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen.
Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës. Por kjo gjë siç po dëshmohet nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal.