Kosova është e përgatitur që në momentin e duhur të dërgojë kërkesën për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) është në fazën e konsultimeve me të gjitha institucionet relevante në vend si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në momentin më të përshtatshëm do ta adresojë kërkesën për anëtarësim të OBT.
Lulzim Krasniqi, shef i kabinetit të ministres Hykmete Bajrami, ka deklaruar se MTI-ja, ka përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim siç është Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme.
“MTI-ja ka përgatitur planin e veprimit që do të shërbejë si dokument orientues dhe koordinues për institucionet e Kosovës lidhur me hapat që duhet të ndërmarrin gjatë dhe pas procesit të anëtarësimit në organizatën Botërore të Tregtisë (OBT)”, ka thënë Krasniqi, për RTKlive.
Por kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka kritikuar institucionet e vendit që nuk po aplikojnë në OBT. “Ne si AKB, që në vitin 2010, kemi pasur takime në OBT, që atëherë na kanë treguar për rrugën që duhet ndjekur institucionet vendit për të arritur deri tek anëtarësimi, por ende s’ka pasur lëvizje në këtë drejtim nga ana e MTI-së”, ka thënë ai.
Shahini thekson se Kosova ende se ka mbushur formularin për aplikim.
Sipas tij, anëtarësimi në OBT do të ketë impakt pozitiv në ndryshimin e imazhin të Kosovës në botë për tregti dhe ekonomi. “Kosovës do të iu ngritët imazhi në botë dhe për këtë duhet që qeveria, konkretisht MTI-ja, të bëjë hapa në këtë drejtim që vendi të jetë pjesë e organizatës më të madhe të tregtisë në botë”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të OBT-së çdo shtet apo territor doganor, duke pasur autonomi të plotë në kryerjen e politikave të saj tregtare, mund të bëhet anëtar (“të aderojë në”) Organizatën Botërore të Tregtisë, por të gjithë anëtarët e OBT-së duhet të bien dakord mbi kushtet. Kjo bëhet përmes krijimit të një grupi punues të anëtarëve të OBT-së dhe përmes një procesi të negociatave.
Organizata Botërore e Tregtisë është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.
OBT ka autoritetin të administrojë dhe mbikëqyrë marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe praktikat tregtare botërore, si dhe të shqyrtojë dhe rregullojë mosmarrëveshjet tregtare midis vendeve anëtare.
OBT u themelua në vitin 1994 kur vendet anëtare të GATT-it firmosën një pakt të ri tregtar. OBT filloi punë më 1 janar 1995.
Organizata përfaqëson edhe një trupë gjykuese në tregtinë ndërkombëtare. Vendet anëtare mund ti referojnë mosmarrëveshjet e tyre para një paneli arbitrazhi të përbërë nga zyrtare të OBT.
Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen brenda afateve të caktuara në rregulloret e funksionimit të OBT.
Tani Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), ka 164 shtete.