0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

FMN thotë se Kosova ka bërë proges

Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë mbajtur Seminarin mbi Raportin vjeshtor të FMN-së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL).
Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore përfshijnë: Shqipërinë, Bjellorusinë, Bosnjën, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Estoninë, Hungarinë, Kosovën, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë, Moldavinë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Ukrainën.
Ky raport mbulon çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimet kryesore ekonomike për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore, si dhe pritjet për zhvillimet e ardhshme ekonomike. Si i tillë, ky raport publikohet dy herë në vit (në pranverë dhe në vjeshtë), me qëllim të rishikimit të zhvillimeve ekonomike në këto vende dhe gjithashtu në masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe administrimin e tatimeve.
Me rastin e publikimit të këtij Raporti, FMN në bashkëpunim me Qeveritë përkatëse bënë prezantimin e këtij raporti në ndonjërin nga vendet e përfshira në raport. Për këtë edicion, është vendosur që prezantimi të bëhet në Kosovë dhe në Lituani. Për sa i përket Kosovës, është hera e parë që ky Raport prezantohet në Prishtinë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti në fjalën hyrëse të tij shprehu falënderim të veçantë për dy përfaqësuesit e FMN-së që kanë përzgjedhur Prishtinën për të prezantuar të gjeturat kryesore të raportit.
“Më lejoni të them se Raporti vjeshtor të FMN-së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), është mjaft informativ dhe përmban të dhëna të shumta për zhvillimet ekonomike, fiskale e financiare në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore. Për më tepër, ky raport mjaft në detaje shtjellon orientimet për të ardhmen, duke u bazuar në projeksionet më të fundit të FMN-së”, tha Hoti.
Ndërsa, sa i përket pikave kryesore që përmban ky raport në lidhje me Kosovën, ministri i Financave Avdullah Hoti , bëri të ditur se “Raporti me të drejtë tregon për suksesin e Kosovës në drejtim të përmirësimit të kualitetit të portfolios kreditore. Kjo tregon për angazhimin e BQK-së dhe gjithë akterëve për një ambient më të mirë ekonomik, që ka ndikuar edhe në kualitetin e portfolios kreditore. Kosova rangohet mjaft mirë për sa i përket kualitetit të administrimit me tatime. Ne siç e dini, kemi bërë reforma mjaft substanciale në drejtim të thjeshtësimit të procedurave dhe eliminimin e burokracisë, dhe kjo është kapur mirë nga ky raport”.
“Ofrimi i shërbimeve tatimore online, tregohet si një nga sukseset e Kosovës. Kosova në mesin e këtyre vendeve, duket të jetë lider në këtë drejtim, dhe ne do të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shpejtë të automatizimit dhe kompjuterizimit të shërbimeve”, shtoi ministri.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar zëvendësshef i Divizionit, në Departamentin Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar Emil Stavrev, si dhe ekonomist i lartë, në Fondin Monetar Ndërkombëtar Ara Stepanyan prezantuan gjetjet e Raportit vjeshtor të FMN- së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL). Në pjesën e parë të prezantimit të tyre përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar paraqitën pasqyrën dhe rreziqet e përditësuara makroekonomike për shtetet e EQLJL-së, ndërsa në pjesën e dytë të prezantimit fokus ishin gjetjet kryesore të hulumtimit për menaxhimin e investimeve publike dhe efikasitetin e administratës tatimore në rajon, në një perspektivë midis vendeve të ndryshme.
Zëvendësshefi i Divizionit, në Departamentin Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar Emil Stavrev bëri të ditur se “Sipas raportit vjeshtor të FMN- së 2016 për çështjet rajonale ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), rritja ekonomike mbetet solide në shumicën e vendeve që mbulon raporti”.
“Megjithatë, në Rusi ekonomia vazhdon të jetë në recesion, por tani ritmi i recesionit është më i moderuar. Po ashtu Vendet e Pavarura të Komenwelthit (Commonwealth Independent States – shumica e ish vendeve Sovjetike) gradualisht po dalin nga recesioni si rezultat i përmirësimit të kërkesës së jashtme. Megjithatë, ritmi i tanishëm i rritjes është vështirë të vazhdoj, për shkak të rritjes së kufizuar të produktivitetit, dhe ecurive negative demografike. Përderisa rreziqet janë zvogëluar, megjithatë ato mesin në horizont me mundësi reale të ndikimit negativ, siç është rasti me Krizën e refugjatëve dhe Brexit”, thotë Stavrev.
“Politika duhet të balancohen midis rritjes afatmesme dhe rindërtimit të rezervave fiskale, në veçanti në ato vende ku rritja ka qenë më e mirë. Për tërë regjionin, sfiduese mbetet përmirësimi i potencialit të rritjes dhe konvergjenca, përmes reformave strukturore, dhe rritjes së produktivitetit. Varësisht nga vendet, këtu mund të listohen nevoja për përmirësimin e qeverisjes, përmirësimi i ofertës së fuqisë punëtore, duke rritur normën e participimit dhe zvogëluar papunësinë strukturore”, shtoi përfaqësuesi i FMN-së Emil Stavrev.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Nevoja për rritje të potencialit ekonomik dhe rritjen e rezervave fiskale, kërkon një përmirësim në menaxhimin e investimeve publike dhe administrimin e tatimeve”.
“Një kualitet i lartë i investimeve publike ndihmon në përmirësimin e potencialit të rritjes ekonomike, duke ditur se akoma ekziston një zbrazëtirë e madhe në infrastrukturë, në krahasim me ekonomitë e zhvilluara. Në këtë kontekst, përmirësimi i administrimit të tatimeve, ndikon në krijimin e hapësirës fiskale për rritjen e investimeve fiskale”, përfundoi Stavrev.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img