2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Ligji për duhanin shkelet me të madhe

Duhani vlerësohet të jetë shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Sipas statistikave ndërkombëtare, të cilat i prezantojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milionë njerëz në botë.
Ligji për duhanin në Kosovë ka hyrë në fuqi nga data 22 maj e vitit 2013.
Ndonëse ky ligj është zbatuar në masë të kënaqshme në fazën e parë të hyrjes në fuqi, zyrtarë që merren me monitorimin e zbatimit të tij, thonë se kohët e fundit po shënohen shkelje të vazhdueshme.
Për shkelje të ligjit, nga inspektorët sanitarë janë deponuar shumë lëndë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, këto lëndë janë shqyrtuar fare pak.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, ka bërë të ditur se tashmë në ekzekutivin e vendit e ka paraqitur si problematikë mosrespektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit. Ai ka thënë se për t’u respektuar ky ligj në mënyrë të denjë, duhet një angazhim shumë-sektorial.
“Ne kemi këshillin ndërministror që merret me mbikëqyrjen e Ligjit kundër duhanit dhe në takimin e fundit ka qenë një konstatim që duhet bëhet më shumë në këtë drejtim”.
“Unë kam shprehur brengën në Qeverinë e Kosovës dhe mendoj se do të intensifikohet shkelja e Ligjit kundër duhanit, pasi po hyjmë në sezonin e dimrit. Jemi zotuar që do të mbajmë një tryezë me pjesëmarrje të gjerë, me dikasteret qeveritare, por edhe të ambasadave edhe të mediave dhe më pas të vazhdohet me shpalljen e njërit nga muajt e ardhshëm si muaji i vetëdijësimit për respektim të ligjit”, ka thënë Rrahmani.
Ministri Rrahmani konsideron se iniciativat duhet të ndërmerren nga lart dhe se Qeveria, Kuvendi e deri te niveli komunal, duhet të japin të parët shembujt e mirë.
“Nëse ne, si bartës të përgjegjësive, nuk jemi shembull i mirë i respektimit të ligjit, si mund të kërkohet kjo nga qytetarët”, është shprehur Rrahmani.
Ndërkohë, Faik Hoti, i cili ka folur në rolin e kryesuesit të grupit për projektligjin për kontrollin e duhanit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në bazë të raportit që kanë marrë, përpos që lëndët për shkelje të Ligjit për kontrollin e duhanit, nuk janë prioritet i gjykatave, vetë gjykatësit e shkelin ligjin duke i ulur dënimet e parapara me ligj.
“Po i referohem raportit të fundit, të Këshillit ndërministror për kontrollin e duhanit, ku inspektorët që kanë dërguar lëndë në gjykata, kanë vërejtjet e tyre për shqyrtim të ngadalshëm dhe kur gjykatësit shqiptojnë dënime jashtë asaj që ka paraparë ligji, duke bërë lëshime dhe i zvogëlojnë ato duke shkelur ligjin. Mendoj se ka nevojë për një fuqizim të aktiviteteve”, ka theksuar Hoti.
Ndryshe, vetë kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, në një prononcim kohë më parë për Radion Evropa e Lirë, kishte thënë se janë me mijëra lëndë në përgjithësi që presin shqyrtim dhe, rrjedhimisht, lëndët për shkelje të Ligjit për kontrollin e duhanit, nuk kanë qenë me prioritet.
Pavarësisht insistimit tonë që të marrim informata lidhur me këtë çështje, Ibrahimi nuk ka shprehur vullnetin që të prononcohet.
Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë disa herë se pa një zbatim të mirëfilltë të këtij ligji, nuk mund të pritet as përmirësim i statusit shëndetësor të popullatës së Kosovës.
Kurse, Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, ka thënë se nuk kanë informata nga gjykatat se sa lëndë janë proceduar në gjykata, dhe sa janë shqyrtuar, derisa ka folur edhe për gjobat që shkelësit kanë marrë ndër vite.
“Për vitin 2016 nuk kemi informata nga gjykata se sa lëndë janë pranuar apo sa janë shqyrtuar. Në vitin 2015, KADC-ja ka bërë hulumtim dhe janë marrë informata që prej hyrjes në fuqi të ligjit e deri në fund të vitit 2015. Janë shqiptuat dy gjoba 3 mijë euro, dy në vlerë prej 1.500 euro, 1 gjobë 750 euro, 30 gjoba në vlerë prej 500 euro, si dhe 14 nga 300 euro. Janë 36 gjoba që u janë shqiptuar personave fizik”, ka bërë të ditur Spahiu.
Sipas tij, pa përkrahjen e të gjitha institucioneve, Ligji për kontrollin e duhanit nuk po mund të gjejë zbatim.
‘’Zbatimi i ligjit kërkon një angazhim multi-sektorial, të cilët në praktikë kanë treguar jo rezultate të mira, sidomos gjykatat ku lëndët janë të stërzgjatura dhe në këtë mënyrë dërgojnë mesazhin e gabuar te shkelësit e ligjit”, ka thënë Spahiu.
Ndërkaq, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka deklaruar se: “hulumtimi i fundit gjithëpërfshirës rreth duhan-pirjes te të rinjtë e Kosovës, i bërë disa vite më parë, kishte treguar se një e treta e nxënësve të moshës 12 deri 18 vjeç, të përfshirë në hulumtim, kishin pirë cigare ndonjëherë. Ndërsa 1 nga 5 nxënës të tillë këtë shprehi e kishin filluar para moshës 10-vjeçare”.
Sipas Ramadanit, fakti më shqetësues është tymosja pasive, sepse 82 për qind e atyre që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95 për qind e atyre që tash tymosin duhan, janë të ekspozuar në thithje pasive të duhanit.
Në anën tjetër, mesatarja e importit të duhanit që hyn në Kosovë për një vit, është rreth 4 mijë tonelata.
/rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img