-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kurtit s’i pëlqyen ‘studentët’ në Kuvend, lista e kandidatëve për deputetë tash do të përpilohet ndryshe

Me propozim të Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje të dielën e ka ndryshuar mënyrën e përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë. Me kërkesë të Kurtit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së i kanë votuar këto ndryshime, të cilat kryetari i PSD-së dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Kurtit, Dardan Molliqaj, i sheh si koncentrim të pushtetit te individi.

Zgjedhjet janë pranë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po e bën gati listën e kandidatëve për deputetë. Mënyra e përpilimit të kësaj liste sivjet do të ndryshojë nga herat e kaluara.

Ndryshimi në përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë u propozua të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe u miratua nga anëtarët e këtij këshilli, ashtu siç u kërkoi kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti. Kjo erdhi pasi Kurti pati vërejtje për përkeqësimin e parlamentarizmit, duke thënë se e ka marrë malli të dëgjojë debat vërtet politik e përfaqësues në Kuvend.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë shumë pranë. Gjasat janë që në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra. Nga një anë, ky është lajm i mirë. Por ekziston edhe një fenomen për të cilin duhet të kemi kujdes. Nuk bën të ulim standardin e listës, dhe as të Kuvendit. Parlamentarizmi, në vitet e fundit, ka ardhur duke u përkeqësuar. Të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik e përfaqësues në Kuvend, sepse më shpesh ose janë përplasje banale e brutale, ose janë diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesorë. Për ta rikthyer dinjitetin e Kuvendit dhe besueshmërinë e qytetarëve në parlament, ne duhet që me shumë kujdes, të zgjedhim njerëzit më të mirë, të përgatitur e të pjekur politikisht, për detyrën e rëndësishme të përfaqësuesit, pra të deputetit. Ky është një proces për të cilin do të na duhet një bashkëpunim e një mirëkuptim, i cili fillon qysh sot. Duhet ta kthejmë në Kuvend vlerën e fjalës dhe peshën e mendimit”, tha Kurti.

Pas vërejtjeve, Kurti propozoi disa ndryshime statutore në nëntë kategori, në mesin e të cilave propozoi edhe mënyrën e re të përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik.

Me ndryshimin e ri, përveç propozimeve të kryetarit të partisë, në këtë rast Kurtit, disa emra tjerë duhet t’i propozojë edhe kryesia. Sipas Kurtit, ky ndryshim i përgjigjet idealit dhe synimit të LVV-së që lista “të jetë sa më gjithëpërfshirëse”.

“Nisur edhe nga përvoja e brendshme nga zgjedhjet e mëhershme kur bëhet fjalë për përpilimin e listës, është e parë e nevojshme që krahas pjesës më të madhe të kandidatëve që vijnë nga qendrat, dhe pjesës së propozimeve të Kryetarit, të kemi mundësinë statutore që edhe Kryesia e Lëvizjes të japë disa propozime, por gjithnjë duke siguruar që asnjë komunë nuk mbetet pa kandidat, nëse ka propozime. Kur kemi parasysh që e gjithë Kosova është një zonë elektorale, ky ndryshim është fort i logjikshëm”, tha Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Këtë ndryshim, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka parë si koncentrim të pushtetit në LVV te Albin Kurti. Molliqaj të martën në “Pressing” të T7 ka thënë se deri tani Kurti bashkë me kryesinë i kanë propozuar 1/4 e emrave, apo rreth 30 kandidatë. Tani, sipas tij, Kurti i vetëm do t’i propozojë 55 emra të kandidatëve për deputetë.

“Ditët e fundit, ngadalë koncentrimi i pushtetit në LVV po shkon te individi. 50% të listës e propozon kryetari me me kryesinë po thonë, por kryetari. Ka qenë 1/4, që me numra i bie që diku 26-27 deputetë i ka propozuar kryetari me kryesinë, këshillin. Tash i propozon 55. Saktësisht sa mandate ata po pretendojnë që mund t’i fitojnë, ose pak më shumë, po ia lënë në dorë liderit tash”, tha Molliqaj.

Ai e ka komentuar edhe vëretjejen e Kurtit për parlamentarizmin e përkeqësuar. Sipas Molliqajt, edhe kjo përkthehet si koncentrim i pushtetit brenda partisë në një njeri të vetëm.

“Albini po thotë nuk dini ju. Derisa ishte demokracia, në të njëjtën kohë po thotë qendrat po votojnë gabim. A e patë kritikën që ua bëri deputetëve të vetë. U tha jeni studentë që po doni me u dukë si mësuesi. Tha më ka marrë malli me pasë në Parlamentin e Kosovës debat politik. Çka i bie kjo? Kur unë s’jam, ju dëshironi me u dukë si unë, por dështoni, edhe nuk ka debat politik ku unë s’jam”, tha Molliqaj.

Kur i propozoi ndryshimet statutore, Kurti tha se ato “e forcojnë drejtimin tonë përpara”

“Nuk është hera e parë që bëjmë ndryshime të tilla statutore, dhe padyshim, nuk do të jetë as e fundit. Rrethanat ndryshojnë, Lëvizja rritet, dhe aktualiteti kërkon prej nesh qasje dinamike, dhe jo ngurtësim. Ngurtësimi, mosndryshimi, është dobësi. Sepse nuk duhet të jemi të fortë pa qenë edhe të fuqishëm. Të pandryshueshme duhet t’i mbajmë vetëm parimet dhe idealet. Aspiratën e Bashkimit Kombëtar, dhe synimin për shtet të drejtë e shoqëri të zhvilluar duhet ta mbajmë të pandryshuar, e jo vetet tona”, tha Kurti.

Me rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe formimin e Qeverisë Hoti, Albin Kurti, Haki Abazi, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Arben Vitia mbetën jashtë Kuvendit. Kjo për shkak se në momentin që u votuan si anëtarë të kabinetit qeveritar, kishin humbur mandatet e tyre si deputetë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img