13.4 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Prapaskenat e shkarkimit të shefit të AKI-së nga Hoti e Osmani: Vendimi iu dërgua pasi Kushtetuesja e rrëzoi Qeverinë

Kreshnik Gashi ka pranuar të largohet nga pozita e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, disa ditë pasi, me një bashkëpunim të munguar prej kohësh, këtë ia kërkuan kryeministri Avdullah Hoti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Një burim i sigurt ka treguar për Gazetën Express prapaskenat e lirimit të Gashit nga detyra. Sipas këtij burimi, kryeministri Hoti i kishte kërkuar vazhdimisht Gashit që ta kërkonte vetë lirimin nga detyra ose të ofronte dorëheqje.

“Asnjeherë nuk e ka pranuar shantazhin e Hotit i cili i ka kërkuar shefit të AKI’së që të kërkojë lirimin nga detyra ose të ofrojë dorëheqje”, ka thënë ky burim.

Pasi ai s’kishte pranuar t’i bindej kërkesës së kryeministrit, sipas të njëjtit burim, Hoti dhe Osmani kishin vendosur ta largonin Gashin nga detyra pa dhënë asnjë arsyetim.

Kreu i deritashëm i Inteligjencës u shkarkua në rrethana të dyshimta. Siç thotë burimi i Gazetës Express, shkarkimi i tij u bë në mënyrë krejtësisht të pazakontë dhe vendimi për shkarkim i ishte dërguar Gashit vetëm pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila e rrëzoi Qeverinë duke e konsideruar si të zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese.

“Janë dy elemente qe ia vlen të trajtohen në lidhje me vendimin. Së pari, që është dërguar tek pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vula e dërgimit te ZKM ka datën 22 dhjetor, si dhe nënshkrimi i vendimit më datën 17, kur Vjosa Osmani ka qenë fizikisht në vizitë zyrtare në Shqipëri. Ndërsa lëshimi i pozitës është bërë pasi është pranuar vendimi i shkruar”, thotë ky burim.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në fillim të dhjetorit e kishte denoncuar AKI’në në Prokurori, për, siç thuhej, ndërhyrje në dokumente “sekret” dhe “top sekret” në kasafortën e Presidencës. Por burimi i Gazetës Express thotë se ky arsyetim ka qenë i qëllimshëm.

“Arsyetimet për kinse rastin kasaforta kanë qenë të qëllimshme. Në raste të tilla mbrojtja e informacionit nga organizata të huaja është obligim ligjor”, thotë ky burim.

Ai shton se zyrtari i AKI-së që kishte qenë në Presidencë, “ska pasur qasje asnjë sekond në ato dokumente atë ditë”.

“Si është sqaruar situata, zyrtari është kthyer ne zyrë. Se gjithçka ka qenë në rregull e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës”, thotë ky burim.

Zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar se shefi i AKI-së tashmë e ka pranuar vendimin dhe është larguar.

“Ka pranuar vendimin për lirim nga detyra”, ka thënë të martën, shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi.

Megjithatë, procedura sipërfaqësore e shkarkimit të drejtorit të AKI’së u bë ashtu siç parasheh ligji, përmes koordinimit ndërmjet presidentit dhe kryeministrit.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme kishin arritur të merreshin vesh për çështjen e shkarkimit të Gashit.

Presidenca dhe Kreyministri ende nuk kanë treguar publikisht arsyet e shkarkimit të Kreshnik Gashit nga pozita e shefit të AKI’së.

Gazeta Express ka raportuar se arsyeja e shkarkimit të Gashit mund të jetë tentimi i hapjes së kasafortës me dokumente konfidenciale në Presidencë, një ditë pasi kryeparlamentarja Osmani mori detyrën e presidentes, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Kreshnik Gashi ishte emëruar në krye të organit më të rëndësishëm të sigurisë në vend në nëntor të vitit 2019. Për emërimin e tij kishte marrëveshje ndërmjet kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.

Emërimi i Gashit në krye të inteligjencës kishte ardhur pak ditë pasi Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e njëjtë. Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni kishte dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img